Turizmi në Turqi – Bursa dhe Cumalikizik

Cumalikizik është një fshat simpatik turk që ka ruajtur cilësitë e tij origjinale historike, me shtëpi dhe rrugë autentike, në rrethin e Bursës.

Turizmi në Turqi – Bursa dhe Cumalikizik

Në zonën e Marmarasë, në Turqi, është një fshat simpatik që ka ruajtur cilësitë e tij origjinale historike, me shtëpi dhe rrugë autentike: Cumalikizik (Xhumallëkëzëk)... Ai pret me bujari udhëtarët kureshtarë për jetën e fshatit në Anadollin e periudhës osmane.

Cumalikizik u përfshi në vitin 2014 në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s së bashku me Bursën, rreth brenda kufijve administrativë të së cilit ndodhet. Kjo zonë është mjaft e rëndësishme duke qenë se dëshmon themelimin e Perandorisë Osmane.

Siti i Trashëgimisë Botërore me titullin “Bursa dhe Cumalikizik: Vendlindja e Perandorisë Osmane”, përmbledh 6 pasuri të qytetit të Bursës. Ato janë: Zona e Haneve, e cila përfshin Kompleksin “Orhangazi” dhe objektet përreth tij; Kompleksi “Hudavendigar”, Kompleksi “Yildirim”, Kompleksi i Gjelbër, Kompleksi “Muradiye” dhe fshati Cumalikizik.

Bursa, kryeqyteti i parë i Perandorisë Osmane, ka marrë një zhvillim social, kulturor dhe tregtar gjithnjë e më të madh duke filluar nga vitet e para të shekullit të 14-të. Gjatë periudhës osmane, në qytet janë ndërtuar dhjetëra xhami, medrese, tyrbe, hane, hamame, bujtina, spitale dhe tregje të mbuluara. Plani urbanistik i Bursës është marrë si model edhe për qytetet e tjera osmano-turke që janë ndërtuar më vonë.

Struktura e pasur historike e saj, e cila i mundësoi Bursës të bëhet pjesë e rëndësishme e Listës së Trashëgimisë Botërore, mbart gjurmë që tregojnë procesin e transformimit të një shteti të vogël të Anadollit në perandori me përmasa botërore.

Objektet e ndërtuara gjatë periudhës otomane gati 700-vjeçare, i ftojnë vizitorët që të bëjnë një udhëtim në kohë.

I pozicionuar vetëm 13 km larg qendrës së Bursës, në këmbët e malit Uludag, fshati Cumalikizik ka ruajtur me sukses deri në të sotmen jo vetëm origjinalitetin arkitekturor e historik, por edhe stilin e tij tradicional të jetesës. Shtëpitë karakteristike që pasqyrojnë stilin arkitektonik të periudhës së hershme osmane, rrugët e shtruara me gurë të rrafshët dhe me kanal në mes për të mundësuar rrjedhjen e ujit në ditët me shi, por edhe ndërtesat monumentale, e bëjnë këtë fshat një muze të hapur. Shtëpitë me qerpiç, muret ngjyra-ngjyra dhe çezmat në krye të çdo rrugice të fshatit Cumalikizik ju rrëmbejnë nga e sotmja dhe ju çojnë në të kaluarën.

Edhe pse Cumalikizik mirëpret dhjetëra-mijëra turistë çdo vit, prodhimi bujqësor vazhdon i paprekur në fshat. Banorët e tij i tregtojnë produktet e tyre në tezgat e sheshit të fshatit.

Këshilla jonë për ata që duan të vizitojnë Bursën, është: Mos u ktheni pa u ngjitur në malin Uludag për të parë bukuritë e jashtëzakonshme natyrore të tij, pa shkuar në llixhat e famshme për ujërat e tyre me veti kuruese, pa blerë stofin e mëndafshit të Bursës, si dhe pa shijuar qebapin tradicional të Skënderit, ëmbëlsirën e Qemal Pashës dhe gështenjat e sheqerit.

Mirë u takofshim në destinacionin e radhës!

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme