Pakistan, Iran, BE: Presim nga zyrtarët sauditë që të bashkëpunojnë me Turqinë për rastin Khashoggi

“BE-ja pret nga zyrtarët e Arabisë Saudite që të bëjnë një hetim të plotë në bashkëpunim me Turqinë”, është shprehur shefja e diplomacisë evropiane për gazetarët...

Pakistan, Iran, BE: Presim nga zyrtarët sauditë që të bashkëpunojnë me Turqinë për rastin Khashoggi

Pakistani ka përshëndetur të hënën përpjekjet e përbashkëta të Turqisë dhe Arabisë Saudite për zbardhjen e rastit të gazetarit të zhdukur, Jamal Khashoggi.

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Pakistanit, Mohammad Faisal, i është përgjigjur me shkrim një pyetjeje rreth gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, me të cilin është humbur çdo kontakt që pas hyrjes së tij në Konsullatën e Përgjithshme të Arabisë Saudite në Stamboll, më datë 2 tetor.

“Përpjekjet e përbashkëta të Turqisë dhe Arabisë Saudite për zgjidhjen e problemit janë një zhvillim i kënaqshëm. Pakistani ka marrëdhënie të afërta dhe vëllazërore me Turqinë dhe Arabinë Saudite. Ne shpresojmë që dy vendet vëllazërore ta zgjidhin këtë problem duke e trajtuar atë në mënyrë të përbashkët”, ka theksuar zëdhënësi Faisal duke shtuar se hetimi po vazhdon dhe nuk është fort e përshtatshme të shprehesh në lidhje me këtë çështje pa pritur rezultatin e hetimit.

Një deklaratë për zhdukjen e gazetarit saudit ka ardhur gjithashtu nga Irani.

“Qeveria e Teheranit s’do të bëjë komente për çështjen Khashoggi derisa të zbulohet e vërteta”, ka thënë zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit, Bahram Ghasemi, në përgjigje të një pyetjeje mbi vijat e përgjithshme të qëndrimit iranian për rastin e zhdukjes së gazetarit saudit.

Ndërsa përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Federica Mogherini, ka njoftuar se situatën e Khashoggit do ta ngrejë të rend të ditës në Këshillin për Çështjet e Jashtme të BE-së, i cili u mblodh të hënën në Luksemburg.

“BE-ja pret nga zyrtarët e Arabisë Saudite që të bëjnë një hetim të plotë në bashkëpunim me Turqinë”, është shprehur shefja e diplomacisë evropiane për gazetarët, përpara fillimit të takimit në fjalë.

“Do ta bisedoj këtë çështje me ministrat në fillim të mbledhjes së Këshillit për Çështjet e Jashtme të BE-së”, ka shtuar Mogherini duke theksuar se Unioni pret një njoftim transparent dhe të qartë rreth asaj se çfarë ka ndodhur me gazetarin Khashoggi.

 


Lajme të ngjashme