Erdogan: Ata që kanë masakruar 5 milionë njerëz në Ruandë, të mos na kërkojnë llogari për Afrinin

“Ata që kanë masakruar 5 milionë njerëz në Ruandë, nuk duhet të na kërkojnë llogari për Afrinin”, deklaroi nga Ankaraja Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, gjatë një takimi me të zgjedhurit lokalë në ambientet e Kompleksit Presidencial...

Erdogan: Ata që kanë masakruar 5 milionë njerëz në Ruandë, të mos na kërkojnë llogari për Afrinin

Presidenti Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, uroi të mërkurën nga Ankaraja që distrikti veriperëndimor Afrin i Sirisë të çlirohet plotësisht nga pushtimi terrorist deri në mbrëmje.

Në fjalën e rastit gjatë takimit të 46-të me të zgjedhurit lokalë në ambientet e Kompleksit Presidencial, Erdogan u ndal veçanërisht mbi operacionin “Dega e Ullirit”, filluar nga ushtria turke më 20 janar për të garantuar sigurinë e stabilitetin në kufij dhe Afrin të Sirisë, për të asnjanësuar anëtarët e PKK/KCK/PYD-YPG dhe DAESH-it, si dhe për të shpëtuar popullatën miqësore e vëllazërore të rajonit nga represioni dhe persekutimi i organizatave terroriste.

Sipas tij, 3.444 terroristë janë neutralizuar deri më sot në kuadër të operacionit në Afrin.

“I jemi afruar edhe pak më shumë qendrës së Afrinit. Uroj që Afrini të bjerë plotësisht deri në mbrëmje. Po ndiqet çdo ndjeshmëri. Civilët fillimisht po nxirren me makina nga Afrini nëpërmjet një korridori të posaçëm. Por këta terroristë janë kaq të ulët, të këqij, vrasës dhe jobesimtarë, saqë bombën e fshehin nën Kuran duke martirizuar ushtarët tanë. Natyrisht që puna jonë s’është kaq e thjeshtë. Pasi ne s’jemi duke vrarë civilët, sikundër bën Perëndimi. Ata masakruar 5 milionë njerëz vetëm në Algjeri. Vranë qindra-mijëra të tjerë në Ruandë, Libi dhe Irak. Fillimisht duhet të japin llogari për këto masakra. Nëse Turqia do të shënjonte civilët, tashmë Afrini do të kishte përfunduar me kohë”, deklaroi Erdogan.

Ai theksoi mes të tjerash se të paktën 65% e armëve, të cilat po përdoren nga Forcat e Armatosura të Turqisë në Afrin, janë prodhim vendor dhe se ky raport do të rritet akoma më shumë brenda një kohe të shkurtër.

Kreu i shtetit turk shpjegoi gjithashtu se terroristët, edhe pse ishin betuar për të bërë rezistencë në qendër të distriktit Afrin, filluan t’ia mbathin me të katra, nga sytë këmbët, porsa ushtria turke hyri në atë zonë, duke penguar edhe daljen e civilëve nga Afrini për t’i përdorur ata si mburojë njerëzore.

“I shikoni apo jo se çfarë tunelesh kanë hapur në ato male? Kush i bëri këto? Mos vallë terroristët? Jo vetëm terroristët, por edhe partnerët e tyre. Këto punë i kanë kryer bashkërisht si forca të koalicionit. Sepse terroristët nuk janë kaq të mençur. Në operacionin ‘Dega e Ullirit’, i cili tashmë ka hyrë në ditën e 54-t, janë spastruar nga terroristët rreth 1.300 km2 dhe neutralizuar 3.444 terroristë”, u shpreh Erdogan duke tërhequr vëmendjen se terroristët në Afrin nuk veprojnë sipas kokës së tyre, por janë të orientuar dhe ndihmuar nga qarqe të caktuara.

Në vijim, presidenti turk sinjalizoi se një operacion antiterrorizëm pas Sirisë do të ndërmerret edhe në pjesën veriore të Irakut.

“Do të spastrojmë në të njëjtë mënyrë nga terroristët edhe Menbixhin, edhe zonën lindore të lumit Eufrat, edhe pjesët veriore të Irakut deri në kufirin tonë. Së afërmi do të rrëzojmë mbi kokat e terroristëve edhe strofkat e tyre në Irakun Verior. Prioritet kemi sigurinë tonë”, përfundoi Erdogan.



Lajme të ngjashme