Tillerson: SHBA-ja është në dijeni të shqetësimeve të Turqisë për sigurinë
Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, deklaroi të martën se vendi i tij është në dijeni të shqetësimeve të Turqisë për sigurinë...

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, deklaroi të martën se vendi i tij është në dijeni të shqetësimeve të Turqisë për sigurinë.
Pas kontakteve në kryeqytetin Kajro të Egjiptit, në kuadër të një turneu vizitash në Lindjen e Mesme, Tillerson kaloi në Kuvajt dhe mbajti një fjalim në Takimin e Ministrave të Jashtëm të Koalicionit Ndërkombëtar në Luftën kundër DAESH-it, ku i pranishëm ishte edhe shefi i diplomacisë turke, Mevlut Çavusoglu.
“Jemi në dije të shqetësimeve të Turqisë në lidhje me sigurinë”, tha ai duke folur për Sirinë.
Kryediplomati amerikan theksoi se përfundimi i operacioneve ushtarake të mëdha të Siri s’duhet të nënkuptojë mposhtjen e plotë të DAESH-it.
Rex Tillerson njoftoi gjithashtu se do të bëhen 200 milionë dollarë ndihma shtesë për vendosjen e stabilitetit në zonat e çliruara siriane.
Sipas programit të turneut të vizitave në Lindjen e Mesme, sekretari amerikan i Shtetit do të qëndrojë ditën e enjte në Ankara. Krahas takimit të planifikuar me homologun turk, Mevlut Çavusoglu, Tillerson parashikohet të pritet edhe nga Presidenti Recep Tayyip Erdogan.
Pika kryesore e agjendës së kontakteve të shefit të diplomacisë amerikane në Turqi do të jetë operacioni “Dega e Ullirit”, filluar nga Forcat e Armatosura të Turqisë më 20 janar për të garantuar sigurinë e stabilitetin në kufij dhe Afrin të Sirisë, për të neutralizuar anëtarët e PKK/KCK/PYD-YPG dhe DAESH-it, si dhe për të shpëtuar popullatën miqësore e vëllazërore të rajonit nga represioni dhe persekutimi i organizatave terroriste.
SHBA-ja kërkon që ky operacion të mos shtrihet deri në Menbixh. Ndërsa Turqia është e vendosur që ta spastrojë edhe Menbixhin nga YPG-ja (fraksioni sirian i organizatës separatiste terroriste PKK).
Burimet diplomatike theksojnë se në bisedime do të merren në shqyrtim formulat për sheshimin/mënjanimin e divergjencës në lidhje me këtë çështje.
Sekretarit Tillerson do t’i komunikohet gjithashtu shqetësimi i Ankarasë për armët, që administrata e Uashingtonit i jep organizatës terroriste YPG.
Ministri turk i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavusoglu, deklaroi një ditë më parë se gjatë vizitës së homologut amerikan në Turqi marrëdhëniet dypalëshe ose do të rregullohen ose do të prishen tërësisht.