Erdogan sinjalizon një operacion ushtarak të mundshëm në Afrin të Sirisë

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, sinjalizoi të shtunën një operacion ushtarak të mundshëm në Afrin të Sirisë, në rast se terroristët në atë zonë nuk dorëzohen...

Erdogan sinjalizon një operacion ushtarak të mundshëm në Afrin të Sirisë

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, sinjalizoi të shtunën një operacion ushtarak të mundshëm në Afrin të Sirisë, në rast se terroristët në atë zonë nuk dorëzohen.

“Sikurse vepruam në Menbixh dhe Idlib, një natë papritmas mund të bëjmë operacion gjithashtu në Afrin dhe kjo s’do të zgjaste as një javë”, deklaroi ai nga provinca Elazig, ku po qëndron për Kongresin 6. të Zakonshëm të partisë së tij për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) në pushtet.

Kreu i shtetit turk tha se bllokimi i mundësive të organizatave terroriste për të vepruar brenda Turqisë ka bërë që ato të orvaten për formimin e një korridori terrorist përgjatë kufijve jugorë të vendit. 

“Me operacionin në Idlib po shkatërrojmë krahun perëndimor të këtij korridori. Nëse terroristët në Afrin nuk dorëzohen, atëherë do t'ua shembim atë mbi kokat e tyre. Kjo duhet të jetë e qartë”, paralajmëroi Erdogan.

Lideri turk foli edhe për ndihmat në armë të Shtetet e Bashkuara të Amerikës për PYD/YPG-në, fraksioni sirian i organizatës separatiste terroriste PKK.

“Realiteti nuk zhduket kur u vishni uniforma terroristëve apo kur ngrini flamurin e vendit tuaj mbi vendstrehimet e tyre. Një pjesë e armëve, të cilat janë sjellë në rajon nga mijëra mauna dhe avionë të mbushur plot, kanë filluar që tani të shiten në tregun e zi dhe të përdoren kundër nesh”, u shpreh ai.

Erdogan tha më tej se kush fle me gjarprin duhet të pranojë edhe pasojat.

“Nëse SHBA-ja këmbëngul kaq shumë për t’u hedhur në gropën e zvarranikëve duke gënjyer veten, atëherë kjo është punë për të. Ne jemi të aftë t’i zgjidhim vetë problemet tona. Me lejen e Allahut, ata do të shohin se si do t’i shpartallojmë në më pak se një javë kusarët, që i kanë grumbulluar duke menduar se formuan ushtri”, theksoi presidenti turk.

Erdogan rikujtoi edhe një tjetër herë rezultatet e operacionit “Mburoja e Eufratit”, ndërmarrë nga ushtria turke kundër organizatës terroriste DAESH në Siri.

“Dje asgjësuam 3.000 terroristë të DAESH-it në linjën nga Xharabulusi deri në Al-Bab. Po të jetë e nevojshme, nesër jemi gati të asgjësojmë edhe 3.000 terroristë të tjerë atje. Në këtë apo atë mënyrë, ne jemi të vendosur që ta mbyllim këtë gropë trazirash”, garantoi Presidenti i Republikës së Turqisë.



Lajme të ngjashme