Industrialistët turq në Shqipëri, identifikohen rrugët për investime strategjike

Një delegacion industrialistësh turq të kryesuar nga Presidenti i MUSIAD Balkan, dr. Bilal Kara, po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri, me qëllim identifikimin e rrugëve për investime në sektorë strategjikë...

Industrialistët turq në Shqipëri, identifikohen rrugët për investime strategjike

Një delegacion industrialistësh turq të kryesuar nga Presidenti i MUSIAD Balkan, dr. Bilal Kara, po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri, me qëllim identifikimin e rrugëve për investime në sektorë strategjikë.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë në bashkëpunim me MUSIAD Balkan (Organizata e Industrialistëve dhe Biznesmenëve të Pavarur të Turqisë) organizuan forumin e biznesit “Mundësitë e biznesit në Shqipëri”.

Në këtë aktivitet ishin të pranishëm sipërmarrës nga të dy vendet të fushës së ndërtimit, paneleve diellore, frigoriferë transporti, mobilerisë etj.

Presidenti i MUSIAD Balkan, dr. Bilal Kara, vlerësoi reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për përmirësimin e të bërit biznes në vendin tonë. Sipas tij, industrialistët turq po vlerësojnë të gjitha potencialet për të investuar në Shqipëri.

Nënkryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, Arben Shkodra, theksoi se qëllimi i takimit të sotëm ishte intensifikimi i marrëdhënieve mes industrive të dy vendeve. “Në takimin e sotëm kemi prezantuar disa prej kompanive shqiptare në fushën e industrisë, të cilat kanë shprehur interes për të bashkëpunuar me kompanitë turke. Shpresojmë që ky forum të mos ngelet vetëm një vend ku do të diskutohen gjërat, por të konkretizohen marrëveshje”, u shpreh Shkodra.

Bizneset turke gjatë forumit patën mundësinë të njohin potencialet që ofron Shqipëria. Synimi ynë është sjellja e investitorëve turq në Shqipëri. “Ka interes. Turqia është partner strategjik në shkëmbimet tregtare. Investitorët turq e shohin me interes bashkëpunimin në fushën e energjisë dhe bujqësisë, apo të shërbimeve”, shprehet Shkodra. Duhet të kuptojmë që Shqipëria, vijon ai, nuk është vetëm një treg prej 3 milionë banorësh. “Ajo, zgjerohet më tej edhe në pjesën e Maqedonisë veriperëndimore, në pjesën e Kosovës dhe një pjesë të Malit të Zi. Pra krijohet një treg shqipfolës i madh me Turqinë”, thotë Shkodra.

Ndër lehtësitë e bashkëpunimit mes dy vendeve, Shkodra rendit edhe praktikat e deritanishme të të bërit biznes, që sipas tij, po shfrytëzohen shumë mirë për promocion.

Agjencia e Zhvillimit të Investimeve të Huaja (AIDA) - vlerëson Shkodra - ka patur një përmirësim të madh në këtë drejtim, ka hartuar paketa promocioni lidhur me mundësitë për investime si dhe të rregullave të themelimit të kompanive në Shqipëri. Shkodra po ashtu vlerësoi rolin e Ambasadës turke, e cila theksoi ai, ka bërë një punë të shkëlqyer sa i takon promovimit të Shqipërisë.

Duke patur parasysh përvojën e Turqisë në fushën e turizmit, Shkodra tha se po punohet për intensifikimin e investimeve turke në këtë fushë edhe në Shqipëri. Por sipas tij, kjo fushë ka nevojë për rregullime ligjore. Problemi kryesor - thotë ai - mbetet certifikimi i pronësisë.

“Ne ende kemi problemin e certifikimit të pronësisë. Në 4 vitet e ardhshme shpresojmë t’i jepet një zgjidhje, sepse kjo është pika kryesore në fushën e turizmit”, deklaroi Shkodra.
Gjithsesi - shtoi ai - ka një vëmendje të shtuar të qeverisë shqiptare në turizëm.

“Kemi nevojë për më shumë infrastrukturë, një komunikim më të mirë të turizmit, kulturës dhe disa veçorive të tjera që Shqipëria ofron, natyrën, mikpritjen etj, me qëllim që të krijohen disa paketa në mënyrë që jo vetëm investitorët turq por edhe ata nga e gjithë bota të fillojnë të shikojnë Shqipërinë si një destinacion të mirë për investime”, nënvizoi ai.

Shkëmbimet tregtare të Shqipërisë me Turqinë, gjatë periudhës janar-qershor të vitit 2017, llogariten 25,451 milionë lekë. Sipas raportit të tregtisë së jashtme të publikuar nga Instituti i Statistikave, shkëmbimet tregtare me Turqinë rezultojnë me një rritje prej 3,092 milionë lekësh krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas INSTAT-it, eksportet gjatë kësaj periudhe llogariten 1.002 milionë lekë, me një rritje prej 273 milionë lekësh krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Gjatë 6-mujorit të vitit 2016, eksportet arritën në 729 milionë lekë. Nga Turqia, Shqipëria ka eksportuar kryesisht materiale ndërtimi dhe metale, por edhe minerale, lëndë djegëse, energji elektrike.

Të dhënat tregojnë se Turqia ka qenë një treg i rëndësishëm për importimin e mallrave të ndryshme drejt Shqipërisë. Gjatë periudhës janar-qershor të vitit 2017 nga Turqia u importuan 24,449 milionë lekë mallra. Ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit 2016 u importuan 21,630 milionë lekë mallra. Nga Turqia, Shqipëria ka importuar kryesisht tekstile dhe këpucë, si dhe produkte kimike dhe plastike.



Lajme të ngjashme