Shtypi turk 17.10.2017

Më poshtë vijon një përmbledhje e lajmeve kryesore, që janë publikuar nga shtypi turk për sot, e martë, 17 tetor 2017:

Shtypi turk 17.10.2017

Hürriyet” – Hapësira ajrore turke mbyllet për fluturimet në veri të Irakut

Turqia mbylli të hënën në mbrëmje hapësirën ajrore për administratën rajonale kurde të Irakut (KRG) për shkak të hapave, të cilat mund të prishin strukturën demografike në Kirkuk, bërë nga Erbili pas referendumit antikushtetues për pavarësi të 25 shtatorit. Këtej e tutje, avionët nuk do të mund të fluturojnë për në KRG duke përdorur hapësirën ajrore turke. Aeroplanët e ngritur në fluturim nga KRG-ja nuk do të mund të përdorin hapësirën ajrore turke gjithashtu. Ndërkohë, Ankaraja zyrtare do të fillojë punën për t’i transferuar qeverisë së Bagdadit administrimin e Pikës Kufitare “Ibrahim Halil”.

Haber Türk” – Zgjidhja e krizës së vizave SHBA-Turqi, e dobishme për të dyja vendet

Zëvendëskryeministri dhe zëdhënësi i qeverisë, Bekir Bozdag, deklaroi të hënën se marrëdhëniet Turqi-SHBA kanë kapërcyer më herët sfida shumë të fuqishme, por në asnjë periudhë nuk janë përballur me një çështje si kriza e vizave. Në konferencë shtypi pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Bekir Bozdag vlerësoi krizën e ditëve të fundit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Zëdhënësi i qeverisë turke theksoi se ambasadori amerikan në Ankara nuk i ka dhënë Uashingtonit informacione të sakta. “Nëse do ta kishte informuar saktë, atëherë s’do të merrej një vendim i tillë. Delegacioni i SHBA-së ka ardhur në Turqi, ku do të ketë takime me nënsekretarët e përgjithshëm të ministrave të Punëve të Jashtme, Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme, për të vlerësuar situatën. Shpresojmë që kjo çështje të zgjidhet pozitivisht brenda një kohe të shkurtër”, u shpreh Bozdag.

Sabah” – Turqia do të mjekojë plagët e Somalisë

Turqia është mobilizuar për të mjekuar plagët e Somalisë, vend ku mbi 300 persona humbën jetën në një sulm me bombë të shtunën. Të gjithë të plagosurit po trajtohen në Spitalin Trajnues dhe Kërkimor “Recep Tayyip Erdogan” në Mogadisho, ndërsa 35 të tjerë në gjendje më të rëndë u sollën në Ankara me avion ushtarak. Me direktivë të Presidentit Erdogan dhe koordinim të ministrive të Punëve të Jashtme, Shëndetësisë dhe Punëve të Brendshme, Shtabit të Përgjithshëm, Gjysmëhënës së Kuqe Turke dhe Autoritetit të Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD), në kryeqytetin somalez u dërguan me një avion tip “A-400M” të ushtrisë turke një skuadër e AFAD-it me 10 ekspertë të kërkim-shpëtimit dhe një ekip i Gjysmëhënës së Kuqe Turke me 3 mjekë specialistë. Nga ana tjetër, Ministria e Shëndetësisë dërgoi në Mogadisho edhe një avion me 10 tonë ilaçe dhe pajisje/materiale mjekësore.

Vatan” – Kompania farmaceutike turke fillon eksportin në Evropë

“Pharmactive”, një ndër kompanitë kryesore të sektorit farmaceutik të Turqisë, ka nisur eksportin e ilaçeve edhe në vendet Evropiane, krahas Lindjes së Mesme, Ballkanit dhe Azisë. Zyrtarë të kompanisë në fjalë njoftuan se kanë hyrë në tregun e Evropës me një medikament të zhvilluar prej kësaj kompanie, i cili përdoret në kurimin dhe trajtimin e  sëmundjeve kardiovaskulare. Inci Ayyıldız, drejtoreshë e përgjithshme e Tregjeve të Jashtme dhe Planifikimit Strategjik të “Pharmactive”, tha se janë pajisur me licencën e nevojshme në 10 vende, përkatësisht në Austri, Gjermani, Spanjë, Itali, Holandë, Maltë, Portugali, Angli, Francë dhe Hungari.

Yeni Şafak” – Afrika preferon traktorët turq të kompanisë “Tumosan”

Turqia pret një rekord të ri në shitjet e traktorëve. Shitjet e traktorëve turq jashtë shtetit kapën shifrën 72 mijë copë në vitin 2016. Ndërsa këtë vit, vetëm në 7 muajt e parë të 2017-s, është regjistruar një rritje me 4,9 për qind në shitjet jashtë shtetit. Nëndrejtori i përgjithshëm i kompanisë “Tumosan”, Serhun Olgun, tërhoqi vëmendjen mbi cilësinë dhe eksportin e traktorëve prodhim turk duke bërë me dije se traktorët turq preferohen sidomos në vendet afrikane.



Lajme të ngjashme