• Video galeri

Çfarë kushtetute i duhet Sirisë?

A mund të sjellë paqe për një shoqëri një kushtetutë e përgatitur në mënyrë të pavarur nga historia, kultura, besimet, vlerat dhe përvojat e vërteta jetësore të vet shoqërisë?!

Çfarë kushtetute i duhet Sirisë?

Perspektiva Globale - Çfarë kushtetute i duhet Sirisë?

Prof. dr. Kudret BÜLBÜL*

Një nga arsyet përse nuk ndalen luftërat, është mos-arritja e një konsensusi për periudhën e pas-luftës. Një përqendrim më i madh mbi post-luftën është një nga rrugët e rëndësishme për t’u dhënë fund luftërave.

 

Këto ditë në media qarkullojnë lajme se Rusia ka hartuar një prokjektkushtetutë për Sirinë dhe këtë draft ajo po e negocion me amerikanët. Përcaktimi i të ardhmes së Sirisë vetëm nga këto dy fuqi, të cilat në pamje të parë duken sikur janë kundërshtare të njëra-tjetrës, nuk do të jetë në interes të vendeve të rajonit dhe popujve të tyre, në raport me të ardhmen e Sirisë. A mund të vijë stabiliteti në rajonin tonë me një kushtetutë që mund t'u japë atyre më shumë të drejta për të ndërhyrë në interes të aktorëve globalë? Për këtë arsye është e domosdoshme që vendet, institutet e mendimit (think-tanks), intelektualët e rajonit po aq sa luftën të përfshijnë në mënyrë intensive në agjendën e tyre edhe periudhën e pas-luftës.

Është e paimagjinueshme që një kushtetutë e përgatitur në mënyrë të pavarur nga historia, kultura, besimet, vlerat dhe përvojat e vërteta jetësore të shoqërisë brenda të cilës ndodhet të mund të sjellë paqe për atë shoqëri. Një kushtetutë e tillë nuk mund t'i zgjidhë problemet. E parë nga kjo perspektivë, parimet themelore kushtetuese të propozuara më poshtë për Sirinë janë parimet që mund të aplikohen edhe për shoqëri të tjera të ngjashme.

Një kushtetutë që do të sigurojë projektin e një vendi të menaxhueshëm ose pushtetin e shumicës: Po të shikojmë regjimet në Lindjen e Mesme, dallojmë se problemi më i madh me këto regjime është se shumica e tyre nuk kanë mbështetje në popull, pra nuk e marrin fuqinë nga populli. Dhe për të mbijetuar, këto regjime që nuk gëzojnë mbështetjen e popullit të tyre dhe nuk e marrin fuqinë nga populli, nga brenda kanë nevojë për më shumë elemente ushtarake dhe policore për ti përdorur kundër popujve të tyre, ndërsa nga jashtë ato kanë nevojë për më shumë fuqi globale. Për këtë arsye, një kushtetutë duhet të jetë e tillë që e merr fuqinë nga populli dhe që në këtë kuadër ajo siguron pushtetin e shumicës. Një shoqëri mund t’u dalë në mbrojtje shtetit dhe institucioneve të saj vetëm me një kushtetutë që nuk eliminon vullnetin e shumicës. Vetëm kështu një vend mund të jetë i fortë brenda dhe jashtë tij.

 

Një kushtetutë që ia kufizon mandatin e qeverisë, në mënyrë që të ketë mundësi të ndërrohet (pushteti): Një nga faktorët që i dobëson regjimet e Lindjes së Mesme dhe si rrjedhim edhe vendet e këtij rajoni është se ndërrimi i pushtetit nuk bëhet në formë legjitime. Udhëheqësit, mbretërit, emirët që vijnë në pushtet, qëndrojnë për jetë në pushtet. Ky është edhe burimi i shumë problemeve në këto vende. Së pari, në këtë rast, qeveritë e humbasin legjitimitetin e tyre shoqëror. Duke qenë se regjimet nuk e marrin fuqinë nga shoqëritë e tyre, ato mbijetojnë me më shumë mbështetje të jashtme.

Edhe kundërshtarët (opozita) që kërkojnë ndryshimin e pushtetit në vendet e tyre gjithashtu kanë nevojë për mbështetjen e më shumë fuqive globale, sepse kjo (ndërrimi i pushtetit) nuk është legjitime. Që të mos kemi situata të tilla, që pushteti dhe opozita ti japin llogari vetëm shoqërisë së tyre, prej nga duhet të marrin edhe fuqinë, duhet që mandati i pushtetit/qeverisë të kufizohet patjetër. Një kohëzgjatje pushteti, maksimumi prej dhjetë vjetësh, dhe e kufizuar kjo me dy mandate, do të zgjidhte shumë probleme në Lindjen e Mesme, siç janë: legjitimiteti, paqja sociale dhe mbështetja tek populli, jo tek fuqitë e huaja. 

Një kushtetutë pluraliste që mbron dallimet: Në një vend, kushtetuta ndërsa garanton pushtetin e shumicës, njëherësh duhet të mbrojë në mënyrë absolute edhe bindjet, besimet e mendimet që janë pakicë. Të drejtat dhe liritë themelore nuk mund të jenë çështje pakice apo shumice.

Një kushtetutë të mbështetur në shtetin unitar: Një strukturë autonome në Siri nuk do të sillte stabilitet. Iraku dhe Spanja janë shembujt më konkretë të kësaj situate. Në një Siri të ndarë në rajone autonome, nga njëra anë këto rajone do të bëjnë përpjekje për një autonomi më të zgjeruar, dhe në anën tjetër fuqitë e huaja do të ndërhyjnë vazhdimisht në problemet e këtij vendi. Duke qenë se struktura autonome do të nxisë vazhdimisht edhe pasigurinë midis pjesëve e grupeve të ndryshme të vendit, nuk do të kontribuojë as në paqen dhe harmoninë e brendshme të vendit. Natyrisht, një strukturë autonome është e vlefshme nëse do të arrinte të ndalonte luftën. Vetëm se sigurimi i paqes së qëndrueshme është më shumë i mundshëm me një strukturë unitare, ku janë marrë nën mbrojtje diversitetet, janë garantuar të drejtat dhe liritë themelore dhe janë forcuar qeverisjet lokale.

Një kushtetutë që siguron drejtësi në përfaqësim, stabilitet në qeverisje dhe monocefalizëm në ekzekutiv: Kushtetuta ndërsa duhet të sigurojë pasqyrimin në parlament të bindjeve të ndryshme në shoqëri, njëkohësisht ajo duhet të lejojë një pushtet (qeveri) të fortë aq sa të ketë mundësi ta qeverisë vendin. Siria mund të ketë një sistem presidencial ose parlamentar. Nëse sistemi do të jetë parlamentar, atëherë kompetencat e Presidentit duhet të jenë simbolike dhe në cilësinë e përfaqësimit. Në një sistem ku janë të fuqishëm të dy për nga kompetencat, pra edhe kryeministri, edhe presidenti, vendi mund të bëhet i paqeverisshëm. Në këtë rast, aktorët e jashtëm mund ti përdorin palët kundër njëra-tjetrës dhe mund të ndërhyjnë më shumë në drejtimin e vendit.

Një kushtetutë të ndjeshme ndaj vlerave sociale: Vlera më e rëndësishme shoqërore në Lindjen e Mesme është feja. Në përcaktimin e marrëdhënieve fe-shtet, vlerësimi e adaptimi i koncepteve më vete dhe në mënyrë të pavarur nga praktika, mund të mos na sjellin neve një zgjidhje. Pasi dihen vështirësitë që i shkaktuan njerëzimit vendet laike perëndimore në Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore, regjimet e Sadamit dhe Kadafit, që mund të shihen si regjime laike, dhe diktaturat në disa vende arabe, që pretendojnë se qeverisen me Sheriat. Rruga më e përshtatshme në lidhje me këtë çështje është që çdo vend të vendosë mbi marrëdhëniet fe-shtet sipas përvojave të veta historike. Për vendet e Lindjes së Mesme, historia islame dhe praktika osmane ofrojnë shumë më tepër përvojë për një marrëdhënie fetare-shtetërore (fe-shtet) liberale dhe pluraliste. Ajo që do të ishte e gabuar në aspektin e Sirisë do të jetë një kushtetutë, pavarësisht se si do të përkufizohet ajo, që shpërfill vlerat fetare, madje që pozicionohet kundër fesë. Me një kushtetutë të tillë, shteti do të humbasë legjitimitetin dhe respektin në shoqëri. Në këtë rast, do të kemi një qeverisje që përsëri nuk e merr fuqinë nga populli, si të tillë që do të kemi rikthim në gjendjen e sotme të regjimeve të Lindjes së Mesme.

Kushtetuta duhet ti njohë mundësi pluralizmit edhe në interpretimin e fesë, nuk duhet të mbështetet në një interpretim të vetëm fetar, siç e kemi në rastin e Iranit dhe Arabisë Saudite.

 

Një kushtetutë të mbështetur tek individi dhe jo tek identitetet kolektive:

Lindja e Mesme është një hapësirë gjeografike, ku përqendrohen fe, raca, sekte, ideologji dhe fise të ndryshme. Përgatitja e një kushtetute të bazuar në identitetet kolektive në një hapësirë të tillë gjeografike e bën sistemin politik jo-funksional, siç shihet në shembullin e Bosnjë-Hercegovinës. Përgatitja e kushtetutës të ngritur mbi identitetet kolektive fikse është një qasje që e ‘ngrin’ jetën. Për këto arsye, kushtetuta duhet të jetë e bazuar tek individi. Natyrisht që individët duhen të kenë mundësinë të organizohen dhe punojnë në çdo mënyrë në përputhje me kërkesat e identitetit të tyre kolektiv.

 

Asnjë luftë nuk zgjat deri në pafundësi. Pa marrë parasysh se sa të fortë kanë qenë gjatë luftës, aktorët që nuk janë të përgatitur për periudhën e pas-luftës janë të destinuar që të humbasin në tryezë. Një Siri që do të krijohet e ndërtohet gabim pas luftës mund të bëjë të qëndrueshëm destabilitetin në rajonin tonë. Për këtë arsye, duhet të bëhet një punë shumëplanëshe, duke përfshirë një kushtetutë për Sirinë dhe rajonin tonë, ku të sigurohen paqja, qetësia dhe stabiliteti i pas-luftës. Përndryshe ata që do të dalin të fituar edhe pas luftës, do të jenë sërish aktorët globalë!

*Dekan i Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit “Yildirim Beyazit”, Ankara



Lajme të ngjashme