Koment - Mandati i dytë i Ruhanit në Iran

Në zgjedhjet presidenciale në Iran të mbajtura më 19 maj 2017, Presidenti në detyrë, Hasan Ruhani, për herë të dytë u zgjodh për president, ndërkaq para pak kohe ai e formoi edhe kabinetin e tij.

Koment - Mandati i dytë i Ruhanit në Iran

Mandati i dytë i Ruhanit në Iran

Hasan Ruhani, i cili ishte në detyrën e presidentit në Iran prej vitit 2013 e këtej, fitoi në zgjedhjet presidenciale të mbajtura më 19 maj. Prej 56 milionë votuesve në Iran numri i qytetarëve që kanë marr pjesë në këto zgjedhje ka qenë 73%. Si rezultat i këtyre zgjedhjeve Ruhani mori 57,3% të votave, ndërsa rivali i tij nga radhët e konservatorëve, Ibrahim Reisi mori 38% të votave. Në këtë mënyrë Ruhani rriti numrin e votave të tij për 7%. Sipas këtij rezultati koalicioni reformist-i moderuar vazhdon me rritjen e tij, ndërsa krahu konservator me dobësim.

Gjatë fushatës zgjedhore kandidatët posaçërisht qëndruan mbi ekonominë e vendit. Reisi nga aspekti i premtimeve ekonomike zhvilloi një fushatë mjaftë populiste. Mirëpo rezultatet e zgjedhjeve tregojnë se faktori i vetëm përcaktues tek zgjedhësit nuk ka qenë vetëm ekonomia, por janë tregues edhe të ekzistencës së kërkesave për çështjet e lirisë dhe demokracisë.

Ruhani gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2013 bëri premtime për të gjitha shtresat e shoqërisë duke filluar nga pakicat etnike-sektare e deri tek të rinjtë, nga bota e medias e deri tek intelektualët, nga të varfrit e deri tek shtresat e mesme dhe të larta. Por, realizimi i këtyre premtimeve është i pamundur pa bërë reforma rrënjësore në sistemin aktual të Iranit.

Ditëve që lamë pas Ruhani shpalosi edhe kabinetin e tij të ri. Shumica e reformistëve, të cilët e përkrahën Ruhanin gjatë zgjedhjeve, kërkuan që në qeverinë e re të marrin pjesë edhe grat. Mirëpo në listën e shpalosur nuk zë vend asnjë ministre. Mospërgjigjja e Ruhanit ndaj kësaj kërkese të fortë mund të vlerësohet edhe si një koncesion ndaj konservatorëve. Gjithashtu siç duket në kabinetin e ri të Ruhanit nuk ka asnjë ministër me origjinë turke. Mospërfaqësimi i turqve të Iranit, të cilët përbëjnë një numër serioz të popullsisë, në kabinetin e Ruhanit është një zhvillim negativ edhe nga aspekti i pluralizmit politik edhe nga aspekti i turqve të Iranit.

Vlerësimet e para të bëra nga krahu reformist në lidhje me kabinetin e ri, tregojnë se Ruhani i është nënshtruar presioneve në lidhje me zgjedhjen e kabinetit të bëra nga qendrat e forcës si Udhërrëfyesi i Revolucionit (autoriteti më i lartë fetar dhe politik në Iran) si dhe Garda Revolucionare dhe Gjyqësori, të cilat janë të lidhura drejtpërdrejt me udhërrëfyesin. Me sa duket Ruhani gjatë mandatit të tij të dytë nuk dëshiron të ketë probleme me Udhërrëfyesin e Revolucionit. Kështu Ruhani dëshiron që qeveria të përqendrohet në ekonomi dhe çështjet tjera prioritare. Mirëpo ende nuk është e qartë se sa do të jetë i suksesshëm Ruhani në këto fusha. Në anën tjetër ai sipas të gjitha gjasave do të filloj një periudhë të re me krahun reformist, i cili pret realizimin e reformave në lidhje me liritë.

 

Krahas marrëveshjes bërthamore të nënshkruar në vitin 2015, sanksionet që zbatohen ndaj Iranit nuk u hoqën plotësisht. Normalizimi i marrëdhënieve me ShBA-në nuk u realizua në nivelin e dëshiruar nga qeveria. Ndërkaq marrëdhëniet politiko-ekonomike me Bashkimin Evropian nuk u vendosën. Në mes tjerash me kureshtje priten edhe iniciativat e qeverisë, e cila nuk arriti të bëhet aktore kryesore në politikat e jashtme gjatë periudhës kur kriza në Lindjen e Mesme vjen duke u thelluar. Kjo situatë njëkohësisht shkaktoi edhe debate të shumta në vend. Ruhani bëri të ditur se në programin e qeverisë së re politika e jashtme duhet të lihet në iniciativë të qeverisë. Mirëpo me sa duhet nuk është e mundur që të përmbushet kjo kërkesë. Sepse kushtetuta e Iranit e autorizon Udhërrëfyesin e Revolucionit për të përcaktuar politikën e përgjithshme të vendit. Presidenti, i cili është kreu i ekzekutivit, është përgjegjës për vënien në jetë të politikave të përcaktuara nga Udhërrëfyesi i Revolucionit. Prandaj njëra prej fushave ku do të jetohen debate serioze në Iran do të jetë edhe politika e jashtme. Negociatat dhe marrëveshjen në lidhje me dosjen bërthamore të Iranit qeveria e realizoi me lejen dhe miratimin e Udhërrëfyesit të Revolucionit. Prandaj, qeveria sot nuk është autoriteti vendimmarrës përfundimtar.

Si përfundim, Ruhanin, i cili përgatitet për ndërmarrjen e iniciativave brenda vendit, e pret një luftë e vështirë e forcës me “status quo” që mbretëron brenda vendit. Në anën tjetër ai do të mundohet ti zbut presionet globale dhe rajonale. Ndërkaq do të jetë shumë vështirë që Ruhani të zhvilloj këto dy beteja në të njëjtën kohë. Marrëdhëniet globale dhe rajonale të Iranit, i cili nuk arriti ti ulë tensionimet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe perëndimin, do të vazhdojnë të mbeten nën hijen e këtij tensionimi. Mund të themi se problemet, me të cilat është ballafaquar qeveria në 4 vitet e fundit gjatë përpjekjeve për të tërhequr investimet e huaja në vend, do të vazhdojnë edhe pas marrëveshjes bërthamore për shkak të sanksioneve tjera që nuk kanë lidhje me projektin bërthamor.

Politikat ekonomike të Ruhanit, i cili thekson se investimet e huaja që janë jetike për zhvillimin ekonomik të Iranit, do të ndikohen negativisht nga zgjatja e sanksioneve. Për këtë arsye Ruhani është i detyruar që njëkohësisht ti realizoj iniciativat në politikën e brendshme dhe të jashtme. Në qoftë se marrim parasysh strukturën e ndarjes së forcave në këtë vend mund të themi se Presidentin Hasan Ruhani gjatë 4 viteve të ardhshme e presin çështjet e vështira dhe të ngjeshura të politikave të brendshme dhe jashtme. Por, në qoftë se shikojmë në periudhën e re në marrëdhëniet mes Iranit dhe Turqisë, atëherë mund të themi se pikat kryesore të mosmarrëveshjeve mes dy vendeve do të jenë politikat e Sirisë dhe Irakut. Irani, i cili posaçërisht gjatë periudhës së Trumpit është në objektiv të ShBA-së dhe vendeve të Gjirit, do të mund të ekuilibroj këtë situatë duke e marrë mbështetjen e Turqisë. Por, për këtë duhet ti rishikoj politikat e jashtme që ndjek dhe që janë të bazuara në themelet sektare. Në rast se nuk merren seriozisht shqetësimet e Turqisë për siguri atëherë nuk do të jetë e mundur që këto dy vende të afrohen me njëra-tjetrën.      

Autor: Cemil Dogaç Ipek



Lajme të ngjashme