“The Telegraph”: A është Shqipëria përgjigjja e Evropës Lindore për bregdetin e Amalfit?

Një udhëtim mbresëlënës në rivierën shqiptare është publikuar në rubrikën e destinacioneve nga media prestigjioze britanike “The Telegraph”, me firmën e Thomas Harding...

“The Telegraph”: A është Shqipëria përgjigjja e Evropës Lindore për bregdetin e Amalfit?

Një udhëtim mbresëlënës në rivierën shqiptare është publikuar në rubrikën e destinacioneve nga media prestigjioze britanike “The Telegraph”, me firmën e Thomas Harding.

Duke shtruar pyetjen se “Pse Shqipëria?”, Harding i jep përgjigje nëpërmjet këtij reportazhi mbresëlënës për Shqipërinë, i cili përcillet nga sytë e familjes së tij që e vizitoi. Dhe sipas tij - “është diçka ndryshe në Evropë.”

A është Shqipëria përgjigjja e Evropës Lindore ndaj bregdetit e Amalfit?

“Shqipëria!” Miku im avokat bërtiti kur zonja Harding zbuloi destinacionin tonë të pushimeve. “Çfarë ke bërë gabim”?

Përgjigjja, me pak fjalë, ishte se ne po merrnim për bazë fjalën e një politikani.

Në një intervistë politike që realizova për këtë gazetë me Edi Ramën, kryeministrin e vendit, ai përmendi të ketë kaluar në rivierën shqiptare dhe se sa e paprekur ishte ajo krahasuar me Italinë.

Shqipëria, në mënyrë tipike, të ngjall paragjykime, pak pozitive. Por në Tiranë, kryeqyteti i vendit, kisha gjetur një qytet të bukur: Bulevarde të gjera, restorante të mira dhe të lira, si dhe një projekt të pikturës pasteliste moderniste të Ramës, të aplikuara në ndërtesat e zymta të stilit sovjetik.

Pamja e një perle të fshehur rezultoi tërheqëse: A ekzistonte një vijë bregdetare evropiane po aq tërheqëse sa Amalfi, por pa turmat dhe çmimin? Me disa rezerva, zonja H, u bind. Por si do të reagonin fëmijët?

Dy më të mëdhenjtë – Darcy, nëntë vjeç, dhe Charlie, tetë – ishin të pavendosur, pasi kishin dëshiruar një safari kenian trijavor dhe një magji të salltaneteve të Dubait, por duke qenë disi të kujdesshëm për shijen time, pas një udhëtimi katastrofik në Francë. Barnaby katërvjeçar nuk e dallonte Shqipërinë nga Aberdini dhe do të ishte i lumtur të udhëtonte kudo.

Vajtja atje ishte pengesa e radhës. Ka fluturime direkte nga Gatwick në Tiranë, por për të shkuar me makinë në bregdet do të duhen rreth 5 orë. Për fat të mirë, Korfuzi është vetëm pak milje larg nga Shqipëria dhe ka shumë tragete, që ju çojnë në portin shqiptar të Sarandës.

Destinacioni ynë i fundit, qyteza e Dhërmiut, ishte 90 minuta larg me makinë duke kaluar malet që ndodhen mbi det. Toka duket praktikisht e pandryshuar nga shekulli i 19-të, kur Lord Bajroni udhëtoi këtu. Në këtë mënyrë, komunizmi punonte në avantazh të Shqipërisë. Enver Hoxha, i cili udhëhoqi si një diktator nga viti 1944 deri në vdekjen e tij në vitin 1985, e shpalli bregdetin zonë ushtarake, e ndaluar për të gjithë, duke përfshirë këtu edhe investitorët. Shtëpitë që tani kanë mbirë mbi tokën shkëmbore janë më tepër funksionale sesa të bukura, por ato nuk mbizotërojnë. Vetëm disa pjesë të mbetjeve duket se nuk mblidhen – por uji mbetet i pastër.

Në Qeparo, ne u akomoduam në vilën tonë, që e zgjodhëm nga një agjenci shqiptare. Në shumë mënyra, turizmi është ende në fillimet e tij. Ne zgjodhëm vilën me pamjen e padukshme, sepse çmimi ishte i drejtë. Vërtetë, çmimi i izolimit ishte një zbritje poshtë nëpër një rrugë të vështirë, por shpërblimi ishte një tarracë me një pamje të detit të bukur në skelën e saj private.

Kemi kaluar ditë të gjata, të lumtura dhe të veçuar në plazhet e Qeparos, Dhërmiut dhe Borshit. Një ditë thyem monotonine me një udhëtim në Gjirin e Jalës, ku agjencia Aventura Shqipëri (albania-adventure.com) ofron për familjet vozitje me varka me rrema përgjatë bregdetit të shpellave të fshehta dhe plazheve të izoluara – një version më aktiv sesa lundrimi me motobarkë dhe me jelekët e shpëtimit, ideale për fëmijët. Të gjitha për 28 stërlina. Ndalesat mbanin emra të kohës së komunizmit – Plazhi Një, Shpella Katër – por bukuria ishte e përjetshme.

Një ditë tjetër rezervuam një udhëtim me varkë në Sazan, ishulli më i madh i pabanuar i Shqipërisë, i cili ndodhet në mënyrë strategjike midis deteve Adriatik dhe Jon. Sigurisht, kjo nuk është një veprimtari tipike e pushimeve të plazhit, por jam një ish-korrespondent i luftës dhe fëmijët e mi më pëlqejnë. Edhe gruas time i dukej si lojë, sikur po udhëtonim nëpër një rrugë malore spektakolare – që përdoret për Udhëtimin Rrugor Shqiptar të Top Gear – në portin e Vlorës, në kërkim të një anijeje, e cila do të na çonte në plazhet e gadishullit të Karaburunit, në një bazë detare të ndarë nga rruga, dhe në Sazan.

Anija jonë ishte pagëzuar me emrin “Perla e Zezë” (blackpearl-albania.com). Nuk arriti t’i linte mbresa gruas sime. “Gjithçka do të shkojë mirë” – i thashë, ndërsa shapkat e mia u pllaquritën mbi dërrasat e lagura nga birra. Stafi na drejtoi drejt kuvertës së poshtme; e larta ishte e rezervuar për adoleshentë të veshur me bikini, bokse të mëdhenj dhe një DJ. Sapo u ankoruam, dhjetëra trupa u zhytën duke u hedhur nga kuverta e lartë në det, një ritëm vallëzimi jehoi në natyrë nëpër shpatet e rezervatit dhe uji u mbush nga flluskat e festës së shkumës mbi ne. Në këto kushte, do të ishte e mençur të braktisje Pearlën e Zezë dhe për 25 euro (23 stërlina) të bindje një pronar motobarkash të na drejtonte për në ishullin intrigues të Sazanit.

Kur arritëm, gjetëm shkëmbinjtë me pemë të Sazanit, të mbushura me 7.000 bunkerë betoni të rrumbullakët, që dikur strehonin trupat ushtarake të Shqipërisë, me synim mbajtjen larg të pushtuesve (të paspecifikuar). Në port gjenden vinça të braktisur dhe përgjatë shpateve gjenden shtëpi të rrënuara, shkolla dhe një kinema verore. Është një kujtesë e zymtë e epokës komuniste brenda Evropës Qendrore – si Muri i Berlinit, por më tërheqës dhe paqësor.

U kthyem në vilën tonë, ku zbritëm nga moli ynë për të kërkuar plazhin e fshehtë, shumë pranë kepit tonë. Duke mos u larguar nga bregu, u nisëm me një ndjenjë triumfi me të mbërritur në gjirin e vogël në formë patkoi, para se të kacavirreshim nëpër shkëmbinj dhe të notonim sërish për t’u kthyer.

Për dy më të rriturit tanë, kjo ishte pika kryesore e udhëtimit tonë. Ashtu si shumica e fëmijëve, jeta e tyre konsumohet nga oraret – çfarë qejfi, atëherë, të kalojmë një pasdite të hapur duke eksploruar botën, si një familje, nga deti.

Më vonë atë mbrëmje, u ulëm në një tarracë druri në restorantin e Luçianit në Dhërmi, mbi detin Jon, ndërsa bukuria e perëndimit të diellit bëri që edhe fëmijët të sodisnin krejt në heshtje.

S’është aspak për t’u çuditur përse çifti italian në tryezën ngjitur kalonte rregullisht pushimet në Shqipëri. “Ushqimet e detit janë kaq të lira dhe të shijshme”, thoshin me zë të lartë. Por ishin qartësisht të habitur që gjetën edhe ne këtu: “Kurrë nuk kemi parë një familje angleze këtu më parë”, thanë ata. “Pse Shqipëria?”

Për shkak se ndodhet diku ndryshe në Evropë. Nuk është bregdeti amalfitan, por ka një magjepsje tipike të saj dhe është e mrekullueshme që është aq e veçuar. Megjithatë e kam të pamundur të mos mendoj që pafajësia e Shqipërisë do të shkelet kur sekreti i saj të dalë sheshit. /ATSH



Lajme të ngjashme