“Asociacioni Ulqini”, afirmues i kulturës shqiptare në Mal të Zi

Mbi 70 vepra të botuara, dhjetëra takime e konkurse të organizuara është bilanci i punës 10-vjeçare të kësaj shoqate në Ulqin.

Asociacioni Ulqini_tanıtım faaliyetleri_Gazmend Çitaku.jpg
Asociacioni Ulqini_tanıtım faaliyetleri2.jpg
Asociacioni Ulqini_tanıtım faaliyetleri.jpg
Karadağ Ülgün Ulqin kitap fuarı.jpg
kutsal kitaplar
Tiran Kitap Fuarı_2017_06.jpg

Mozaik nga Mali i Zi - “Asociacioni Ulqini”

Asociacioni Ulqini”, që udhëhiqet nga Gazmend Çitaku ka për mision promovimin dhe avancimin e krijuesve shqiptarë nga Mali i Zi. Mbi 70 vepra të botuara, dhjetëra takime e konkurse të organizuara gjate punës së kësaj shoqate.

V. Katana: Z. Çitaku a mund t’i njoftojmë dëgjuesit se cila është veprimtaria e shoqatës që ju drejtoni?

G. Çitaku: Shoqata ime kryesisht merret me afirmimin e kulturës së shqiptarëve në Mal të Zi. Përveç afirmimit të kulturës, si veprimtari kryesore është edhe botimi i librave, që ka për qëllim afirmimin e krijuesve tanë që jetojnë në këto hapësira. Nevoja për një afirmim të tillë ka lindur nga mungesa e prezencës së autorëve të këtyre anëve në hapësirën mbarë shqiptare si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri. Unë kam marrë iniciativën që të bëj një lloj botimesh të këtyre autorëve kryesisht nga Ulqini dhe me një tempo qysh nga viti 2006 kur është formuar shoqata kam arritur që me një tempo prej 5-6 titujsh në vit që sot të përmbledhë diku rreth 70 tituj librash të shumë autorëve jo vetëm nga Ulqini por kemi bërë edhe një laramani të autorëve të ndryshëm nga Shqipëria, Kosova , shqiptarët e Malit të Zi etj. Kemi bërë edhe përkthime të autorëve tjerë në gjuhën shqipe  dhe anasjelltas.

V. Katana:Z. Çitaku, ju gjatë viteve keni dhënë dhe vazhdoni të jepni kontribut të madh në botimin e veprave të autorëve të ndryshëm. Veçoni disa nga këto botime?

Numër i madh i autorëve që kanë dalë nga botimet e “Asociacionit Ulqini”

G. Çitaku: Që nga viti 2006-të, numri i autorëve të cilët kanë dalë nga “Asociacioni Ulqini” është shumë i madh mirëpo unë do të veçoja shkrimtarin e madh për fëmijë Hajro Ulqinakun , pastaj kemi dr. Bahri Briskun, prof.dr. Maksud Haxhibrahimi. Nga autorët e rinj mund të veçoj Flutur Mustafën e cila direkt është promovuar  nga shoqata jonë, pastaj kemi edhe një autor shumë të mirë Argëzon Sulejmani, i cili është një autor i ri në ngritje e sipër. Autor i asociacionit tonë është edhe rikthimi i Jaho Kollarit në veprat e shkruara pasi që  ai një kohë të gjatë ka refuzuar të bëj botime të ndryshme. Me krenari mund të them se unë kam përkthyer autorin Andrej Nikolajdis i cili është i njohur jo vetëm në rajonin to në por edhe më gjerë. Nga gjuha malazeze kam të përkthyer autorin Sreten Asanoviq etj. Besoj që autorët kryesorë shqiptarë nga Mali i Zi janë autorë të cilët dalin me veprat e tyre nga veprimtaria ime botuese. Unë me krenari them se në një periudhë të shkurtër kohore kam arritur që të botoj rreth 70 tituj të ndryshëm të rreth 30-40 autorëve të cilët dalin dhe konkurrojnë në treg me veprat e tyre. Përveç botimeve të këtyre autorëve, ky është viti i pestë me radhë që unë organizoj konkurs poezie ku aty bëhet edhe filtrimi dhe njohja e autorëve të rinj. Ndoshta në një të ardhme të afërt ajo duhet të zgjerohet ku përveç poezisë të kaloj edhe në prozë pasi që kemi shumë autorë që merren me proza dhe që nuk kanë mundësi të afirmohen.

V.Katana: Z. Çitaku si do ta vlerësonit në përgjithësi vitin 2017-të për sa i përket botimeve?

G.Çitaku: Me një ritëm prej 5-6 tituj unë e ka plotësuar normën për një vit dhe e kam tejkaluar atë,. Një titull e kam të përkthyer në gjuhën malazeze dhe të tjerat janë në gjuhën shqipe. Në vitin 2018 do të vazhdoj prapë me 5-6 tituj dhe me plot krenari mund të them se e kam të plotësuar planin deri në vitin 2020 me botime të ndryshme, të cilat sipas një radhe duhet të vijnë në vend të vet që të dalin në dritë. Në vitin që sapo kemi lënë pas, për herë të pare pas 100 vitesh  kam ribotuar librin “Fejesat në djep” ose “Ulqini i marrun”. Ky është një libër që trajton rënien e Ulqinit nën Malin e Zi dhe kjo ka qenë shumë pak ose aspak e njohur në Ulqin, andaj unë e kam ri sjellë pas 100 vitesh e kam zbuluar, natyrisht në marrëveshje me familjarët dhe bibliotekën ku e kam gjet.

Bashkëpunim i ngjeshur me shoqatat simotra mbarëshqiptare

V. Katana:Z Çitaku, çfarë mund të na thoni për bashkëpunimin me shoqatat si motra shqiptare në Mal të Zi?

G.Çitaku. Bashkëpunimi është korrekt. Sa i përket “Asociacionit Ulqini”, ne kemi raporte të mira me të gjitha shoqatat, natyrisht me ato me të cilat kemi veprimtarinë e njëjtë. Kërkojmë ndihmë nga njëri-tjetri kështu që ne jemi të hapur me ç’do kënd, kush do që ka kërkuar ndihmën tonë me pa rezervë i kemi ofruar bashkëpunim. Sa i përket bashkëpunimit me shoqatat si motra në rrafshin mbarë shqiptarë, kemi raporte të mira, mirëpo kur fjala është për bashkëpunim më konkret mund të them se këtu pengesë paraqet mungesa e mjeteve financiare. Në këtë drejtim mund të them se kam shumë raporte të mira me “Poetekën” nga Tirana apo dhe me “Muzeun Historik“ po nga Tirana, mirëpo ky lloj bashkëpunimi duhet të kaloj në instanca më të larta dhe të shendohet në bashkëpunim institucional.

V. Katana:Z. Çitaku, ju si shoqatë që merreni me botime, jeni në kontakt të përhershëm me botuesit. Cila është pozita e krijuesve shqiptarë në Mal të Zi?

G. Çitaku: Ne jemi në margjina. Ne vështirë mund të depërtojmë edhe në tregun e librit në Shqipëri e gjithashtu edhe në Kosovë. Jemi dëshmitarë të asaj që libri po pëson krizë leximi. Duhet të jesh një autor shumë i madh ose shumë i kërkuar që libri yt të kërkohet në një vend tjetër. Ndoshta ndonjë autor shqiptarë nga Mali i Zi mund të kërkohet në Tiranë, mirëpo në veprat ai libër nuk do të kërkohet fare. Falë librarisë që kam mbajtur, unë kam raporte të mira me furnizuesit dhe kohë pas kohe i furnizoj me libra të rinj që dalin nga Mali i Zi. Kërkesa ka por prapë e përsëris që është shumë e vështirë që një autor nga Mali i Zi të depërtoj më tepër në Shqipëri.

Gazmend Çitaku, mbledhës i arte fakteve që nga koha e antikitetit .

V. Katana:Ju merreni edhe me mbledhjen e pasurisë së trashëgimisë tonë kulturore. Çfarë mund të na thoni për gjetjet dhe zbulimet që keni bërë dhe kur mund të presim publikimin e tyre?

G. Çitaku. Unë punoj në shumë fusha. Përveç botimeve pasion kam edhe koleksionimin e gjërave të vjetra. Unë kam një atelie në shtëpi të cilën dita ditës e pasuroj më tepër. Kam arte fakte të ndryshme që nga koha e antikitetit e deri para 50 vitesh. Jam duke i regjistruar të gjitha duke i fotografuar dhe duke bërë një regjistër. Besoj që në një të ardhme të afërt këtë atelie do ta shndërroj në galeri ose muze pasi që kam edhe shumë piktura të autorëve vendas të cilat janë me shumë vlerë.

Plane ambicioze për 2018-ën

V. Katana:Meqë tashmë kemi shkelur në vitin 2018-të. Na flisni pak për planet tuaja për këtë vit?

G. Çitaku: Për vitin 2018-të prioritet kam botimin e 6 titujve të rinj si dhe aktivitete të tjera që rrjedhin natyrshëm sipas ftesave që do të marr nga Tirana, Prishtina ose Podgorica. Pres që edhe ky të jetë një vit i suksesshëm si viti 2017-të sepse më zgjodhën si përfaqësues i Malit të Zi në “Akademisë Universitare të Zvicrës”. Kam një mandat 5-vjeçar në këtë akademi .

V.Katana: Z. Çitaku, meqë kjo intervistë transmetohet ekskluzivisht për dëgjuesit e Radios “Zëri i Turqisë” në gjuhën shqipe, a keni ndonjë mesazh për të gjithë botuesit, të cilët do ta dëgjojnë këtë intervistë ose edhe do ta lexojnë në Portalin e kësaj radioje?

G. Çitaku. Ulqini është një pikë shumë e vogël në hartë. Mirëpo nëse e dëgjojnë këtë intervistë, unë do t’i porosisja që të vizitojnë Ulqinin sepse ai është shumë i bukur dhe është i të gjithë shqiptarëve si atyre në Turqi ashtu edhe atyre në Kosovë, Shqipëri dhe kudo që ka shqiptarë.

- Përgatiti për Zërin e Turqisë Vera ALIBEGU KATANA -



Lajme të ngjashme