• Video galeri

Gjigandi Trepça, i dërrmuar prej keqmenaxhimit

Me gjithë rritjen e çmimit të xeheve në tregun botëror, gjigandi metalurgjik i Kosovës, kombinati Trepca ka shënuar ulje të profitit për shkak të keq menaxhimit, është thënë në Komisionin e Kuvendit për Zhvillim Ekonomik...

Gjigandi Trepça, i dërrmuar prej keqmenaxhimit

Gjigandi Trepça, i dërrmuar prej keqmenaxhimit

Gjendjet në ndërmarrjet publike Posta e Kosovës, Telekomi i Kosovës si dhe ndërmarrjen Trepça, janë të rënda, është thënë nga ministri i Zhvillimit Ekomomik Valdrin Lluka, gjatë raportimit në Komisionin për Zhvillim Ekonomik.

Trepça për të cilën as ministri Lluka me saktësi nuk mund të përcaktonte statusin se a është ndërmarrje publike apo shoqërore, shumë shpejt do të jetë funksional me bord, tha ai.

“Tash është koha e intervistave besoj me 25 mars dhe në fillim të prillit besoj të kemi një bord aktiv. Pra janë 9 anëtarë të bordit, 2 vinë nga përfaqësues të punëtorëve sepse janë 20% aksionar dhe 7 vinë nga përfaqësues të qeverisë”, ka thënë Lluka.

Edhe anëtarja e Komisionit, Hykmete Bajrami e cila vjen nga radhët e LDK-së, nuk beson në këto premtime të ministrit.

“Jam shumë skeptike ministër që nëse intervistat fillojnë me 25 mars në prill ne potencialisht do të kemi një bord të drejtorëve funksional për Trepçën”, tha ajo.

Kurse anëtari I komisionit nga PDK Memli Krasniqi kritikoi punën e gjertanishme të ministrit Lluka, duke thënë se 6 muaj duhej ti mjaftonin për të trasuar rrugën e ringjalljes së kombinatit.

“Është një mendimtar të cilin e çmoj shumë, veçanërisht në ekonomi, Milton Friedmani, e ka një tekst, flet për tiraninë e status-quos, edhe thotë kur njerëzit e marrin detyrën dhe kjo ka qenë një prej mendimeve të cilat jam mundu me i zbatua edhe et në përgjegjësitë e mia, nëse në 6 muaj nuk mbërrin me i drejtua punët edhe me i shti në funksion, atëherë të rrok tirania e status qos, sepse të marrin kohë punët ditore, të marrin kohë punët protokollare, të marrin kohë gjërat jo shumë të rëndësishme dhe pastaj nuk mundet me arrit me krye punët e mëdha. Ju thatë se kanë kaluar vetëm 6 muaj, por unë mendoj se 6 muaj janë shumë konsideroj unë dhe nëse edhe pas 6 muajve nuk ka asnjë hap konkret në funksionalizimin qoftë legjislativ ligjor, qoftë funksional për Trepçën, atëherë frika ime është që edhe 6 muaj më vonë prapë nuk do të arrinim me e fut në binarë të drejtë situatën me Trepçën”, tha Krasniqi.

Nga ana e tij, anëtari tjetër Dardan Sejdiu, theksoi se Trepça nuk është problem I vetëm 6 muajve të fundit por edhe I qeverive të mëhershme.

“Memli foli për 6 muajt e fundit e në fakt Trepça trajtohet qe 18 vite, ose tentohet të trajtohet qe 18 vite”, ka thënë Sejdiu.

Ministri Lluka ka folur edhe për Postën e Kosovës si dhe Telekomin duke pranuar se janë në gjendje po-ashtu të rëndë. Ai ka potencuar se pjesa më e madhe e shpenzimeve operative në këto ndërmarrje shkojnë për paga, që janë shumë mbi mesataren e pagave në vend. Anëtarët e Komisionit ndërkaq kanë kërkuar që ndërmarrjet publike të lidhin kontrata për shfrytëzimin e produkteve të Postës dhe Telekomit, në vend se ti shfrytëzojnë produktet e ndërmarrjeve private.

***

Kuvendi s’ka informacione për dialogun Kosovë-Serbi

Komisioni parlamentar për punë të jashtme në bashkëpunim me Institutin Demokratik të Kosovës mbajti takimin e radhës me kryetarë të komisioneve parlamentare të Kuvendit ku është diskutuar  roli i komisioneve parlamentare në mbikëqyrje të dialogut Kosovë-Serbi.

Kryetarja e Komisionit Vjosa Osmani,  konsideron së Kuvendi nuk ka informacione lidhur më procesin e dialogut Kosovë Serbi

Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës  konsideron se Kuvendi duhet të ketë rol më të madh sa i përket dialogut me Serbinë.

Driton Selmanaj, kryetar i komisionit për Mbikëqyrje të Financave tha se ekipi dialogues që përfaqëson Kosovën në Bruksel është jo serioz.

Ndërkaq edhe Albulena Haxhiu kryetare e komisionit për Legjislacion, konsideron se marrëveshjet që po bëhen në dialogun me Serbinë janë të dëmshme për qytetarët.  Ajo kërkoi krijimin e një komisioni hetimor parlamentar për këtë çështje.

***

Kosova ka rritje më të lartë të punësimit në rajon

Rritja më impresive e punësimit është shënuar në Kosovë, e shtyrë nga rritja më e madhe ekonomike në vitin 2017. Mirëpo rritja e punësimit po ngadalësohet. Meqë pati më shumë njerëz që në mënyrë aktive kërkonin punë, shkalla e papunësisë është rritur në 2017 me gjithë rritjen e punësimit. Punësimi, si përqindje e popullsisë në moshë pune, mbetet nën 30 për qind. Më shumë se 70 për qind e njerëzve të papunësuar kanë kërkuar punë për më shumë se një vit. Kosova po ashtu e ka pasur edhe dallimin më të madh gjinor në punësim në vitin 2017, si dhe papunësinë më të madhe të të rinjve me mbi 50 për qind.

Rritja e punësimit prej 3,9 për qind gjatë vitit të fundit ka sjellë hapjen e 231 000 vendeve të reja të punës në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, sipas raportit “Prirjet e Tregut të Punës në Ballkanin Perëndimor 2018” të bërë publik të hënën nga Banka Botërore dhe Instituti për Studime Ekonomike Ndërkombëtare Vjenë. Shkalla e papunësisë ka pësuar gjithashtu rënie nga 18,6 për qind në 16,2 për qind, duke arritur nivele të ulëta historike në disa vende.

Vendi kryesues në rajon sa i përket punësimit është Kosova, që ka një rritje prej 9,2 përqind, ndjekur nga Serbia (4,3 përqind), Mali i Zi (3,5 përqind), Shqipëria (3,4 përqind), Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë(2,7 përqind) dhe Bosnje Hercegovina (1,9 përqind). Me gjithë progresin e bërë, shkalla e ulët e veprimtarisë, sidomos ndër gra dhe të rinj, kombinuar me shkallën e lartë të papunësisë afatgjatë dhe mbizotërimin e punësimit informal, vijojnë të paraqesin sfida për rritjen e qëndrueshme ekonomike në rajon.

“Rajoni ka bërë hapa të mëdha lidhur me përmirësimin e rezultateve të tregut të punës, krahasuar me vitin e shkuar, që do të thotë se më shumë individë po punësohen”, tha Linda Van Gelder, Drejtore e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor.

“Megjithatë, ka një nivel të lartë individësh që nuk janë të punësuar, nuk kanë arsimin apo formimin e duhur profesional dhe duhet të gjejmë mënyra t’i drejtojmë ata drejt mundësive të ardhshme”.

Papunësia e të rinjve në nivelin e 37,6 përqind është një sfidë themelore për rajonin. Megjithatë, kjo shifër ka pësuar zbritje nga viti i i fundit dhe thuajse çdo vend në rajon po përjeton nivelet më të ulëta të papunësisë së të rinjve që prej vitit 2010. Niveli në vende të ndryshme ndryshon nga 29 në Malin e Zi dhe Serbi, në më shumë se 50 përqind në Kosovë.

Duhen trajtuar një sërë pengesash ndaj punësimit për të reduktuar emigracionin e vazhdueshëm nga rajoni, që është i zakonshëm sidomos tek të rinjtë dhe të arsimuarit. Lidhja më e mirë midis të diplomuarve në nivele të ndryshme dhe tregut të punës, si dhe ndërhyrjet më të hershme për të penguar largimin e studentëve mund të përmirësojnë mundësitë për punësim.

***

Ndërpriten dhe rinisin punimet në sheshin Adem Jashari

Institucionet e trashëgimisë kulturore i kanë ndaluar të shtunën punimet në rimodelimin e ish-sheshit të “Vëllazërim-Bashkimi”, në qendër të Prishtinës, që do të quhet sheshi Adem Jashari.

Ndalimi është bërë për shkak se projekti nuk kishte marrë pëlqim nga Instituti i Kosovës për Mbrojtje të Monumenteve dhe se hapësira ku kishin nisur punimet është udhëkryq midis tri monumenteve.

Këshilltari i ministrit të Kulturës, Samir Hoxha, ka bërë të ditur se të hënën Komuna e Prishtinës është pajisur me pëlqimin për vazhdimin e punimeve.

“Sot Komuna e Prishtinës është pajisur më pëlqimin nga ana e Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve. Besoj që çdo gjë do të jetë në rregull”, ka thënë ai.
Kurse zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri, ka thënë se komuna nuk ka qenë e njoftuar se hapësira ku kishin nisur punimet është udhëkryq midis tri monumenteve.

“Pasi kanë filluar punimet në Sheshin “ Adem Jashari”, na kanë njoftuar se në një pjesë të tij janë themelet e një hamami të vjetër që ka qenë me herët në Prishtinë, gjë për të cilën ne nuk kemi qenë të njoftuar me parë. Dhe tjetra që është me rendësi, është që ne nuk do të gërmojmë aq thellë sa janë ato themele, por ne vetëm pllakat do ti ndërrojmë. Inspektorët për trashëgimi kulturore kanë shprehur interesim të bëjnë mbikëqyrjen në ketë pjesë.”

Rrënojat e hamamit të vogël në oborrin e Kuvendit të Kosovës, shtëpia gati njëshekullore, me pronar Gazmend Abrashin, dhe Xhamia e Çarshisë, bëjnë që Sheshi “Adem Jashari” të jetë brenda perimetrit të mbrojtur shkaku i monumenteve. Ndërsa, përmendorja nga koha e komunizmit me formë trekëndëshi nuk është nën mbrojtje si aset i trashëgimisë kulturore.

***

RTK do të paguhet përsëri përmes faturave të rrymës

Komisioni Parlamentar për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, diskutoi draftligjin për transmetuesin publik. Kryetari i këtij komisioni, Nait Hasani, tha se komisioni ka zgjedhur të rekomandojë që  pagesa për RTK-në të bëhet përmes faturave të KEDS-it, por nuk u caktua shuma e pagesës. Në komision u diskutua edhe për hapësirën të cilën RTK mund ta përdorë për reklama si dhe për çështje të tjera. 

Për këtë çështje kryesisht u kërkua që RTK të ketë hapësirën e kufizuar të reklamimit. 

Qytetarët kanë paguar taksën prej 3.5 euro bashkë me faturën e rrymës deri në vitin 2009, atëherë kur Gjykata Kushtetuese kishte vendosur masa të përkohshme duke ndërprerë këtë mënyrë të financimit.

Që nga ajo kohë e deri më sot RTK financohet drejtpërsëdrejti nga buxheti i Kosovës.

***

Tri arsyet e Fatmir Limajt për ta votuar demarkacionin

Zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, ka deklaruar se pret që në seancën e së martës të ratifikohet Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi. Limaj ka dhënë tri arsye që sipas tij demarkacioni duhet të votohet.

“E para, besoj që nuk po gabojmë që po e votojmë, unë kur kam dilema për një marrëveshje nuk e votoj. Vota jonë tash jep mundësi. Deputetët me votën e tyre japin mundësi që komisioni që krijohet nga qeveria ta rishikoj kufirin. Deri më tani kemi zhvilluar debatin brenda nesh por nuk kemi ballafaquar faktet me Malin e Zi. Është mundësia që të analizohet gjithë vija kufitare dhe në fund të dilet me rekomandim se çfarë ka ndodhur atje”, tha Limaj.

“E dyta, po i japim një mundësi vendit tonë – hapjen e perspektivës evropiane”, vazhdoi ai.

“E treta, është, që kam biseduar me deputet individualisht dhe ma kanë deklaruar vullnetin për të dhënë votën që do të votojnë pro, a do ta mbajnë qëndrimin do ta shohim, ka thënë Limaj në ‘Zona B’ në Klan Kosova.

VV kundër ngutit për demarkacion

Përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje kanë deklaruar se nuk ka nevojë të ketë nguti me miratimin e demarkacionit me Malin e Zi, përderisa Qeveria nuk e ka përmbushur kushtin për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Deputetja e VV-së Fitore Pacolli tha se Qeveria po nxiton në miratimin e marrëveshjes me Malin e Zi duke i mashtruar qytetarët se me këtë do të liberalizohen vizat.

“Ne e dimë që kusht për liberalizimin e vizave nuk është vetëm çështja e demarkacionit, por është kushti për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit”, ka thënë Pacolli.

Ajo tha se Kosova duhet ta plotësojë kushtin e luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar për të përfituar nga liberalizimi i vizave.

“Kosova duhet të plotësojë këtë kusht që të ece tutje. Më saktësisht në raportin e KE kërkohet nga Kosova që të krijojë një regjistër të hetimeve e të vendimeve të formës së prerë të gjykatave, po ashtu të bëjë konfiskimet lidhur me rastin e krimit të organizuar dhe korrupsionit”, ka thënë Pacolli.

Ndërsa Albulena Haxhiu, anëtare e Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se qeveria Thaçi 1 dhe 2, Qeveria Mustafa si dhe kjo aktualja , kanë thënë se janë zero tolerant ndaj korrupsionit.

“Mirëpo në anën tjetër në Kosovë janë krijuar politikanë milionerë që nuk mund ta justifikojnë pasurinë e tyre të paligjshme dhe në anën tjetër ndonëse janë pasuruar në kurriz të qytetarëve të varfër, kanë mbetur të paprekshëm nga sistemi I drejtësisë”, ka thënë Haxhiu.

Albulena Haxhiu ka paralajmëruar se do ta procedojnë në Kuvend Projektligji për konfiskimin e pasurisë së pajustifikuar.

***

Edhe partia Fjala kundër miratimit të demarkacionit

Dy anëtarët e Partisë Fjala, Nderim Sejdiu dhe Bedri Bytyçi përmes një konference për medie, shprehën kundërshtimin e tyre për miratimin e mundshëm të demarkacionit me Malin e Zi, në Parlamentin e Kosoves.

“Votimi i Demarkacioni dhe kalimi në parlament i kësaj marrëveshje, do të jetë një grusht i rëndë për ata që e votuan këtë legjislativ, por njëkohësisht edhe luftën e bërë për atë tokë të vendit tonë, që sot në një mënyrë apo tjetër po i falet Malit të Zi. Faji kryesor për këtë gjendje është nga vet Qeveria dhe deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, të cilët për interesa të ngushta personale po lobojnë me çdo kusht që ta ratifikojnë këtë marrëveshje, për më keq, Qeveria e Kosovës i bie në gjunjë Listës Serpska për votën e tyre pro kalimit në Parlament të Demarkacionit me Malin e Zi.

Një barrë hiç më pak e lehtë, bie edhe mbi supet e Opozitës, e cila asnjëherë nuk ka qenë më e fuqishme se këtë herë, por duke pasur për qellim që kjo marrëveshje me Malin e Zi dhe marrëveshje tjera të dëmshme për vendin, të bëhen nga "të fortit", apo ndryshe të ashtuquajturi "Krahu i Luftës", po heshtë dhe nuk po e bën asnjë hap drejtë stopimit të marrëveshjes e cila është në dëm të shtetit tonë.

Ratifikimi i kësaj marrëveshje, është një hap prapa kauzës së Adem Jasharit dhe heronjve të tjerë”, është thënë nga Partia Fjala.

***

Kuvendi ka miratuar Projektligjin për mbrojtjen e Konsumatorit

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, ka bashkëbiseduar me qytetarë dhe ka shpërndarë fletushka në sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë për Ditën Ndërkombëtare të Konsumatorit, që është shënuar në Kosovë me një sërë aktivitetesh.

Ministri Hasani ka thënë se kanë kaluar në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës Projektligjin për mbrojtjen e konsumatorit, që është bërë në harmonizim me legjislacionin e BE-së.

“Ka ekzistuar një ligj, por e kemi bërë një plotësim ndryshim, sepse ka pasur disa defekte gjatë rrugës së implementimit, e kemi bërë në përputhje të plotë me legjislacionin e BE-së”, ka thënë Hasani.

Ai ka theksuar se kanë punuar shumë në vetëdijesimin e konsumatorit dhe do të bëjnë fushatë të vazhdueshme informuese.

“Ky ligj mbron të drejtën e konsumatorit dhe është shumë i favorshëm. Po ashtu jemi duke bërë fushata të vazhdueshme për vetëdijesimin e konsumatorëve, të tregojmë se çdo qytetarë ka të drejtë ankuese”, ka thënë Hasani.



Lajme të ngjashme