Koment - Inflacioni, Bilanci i Buxhetit dhe Borxhi i Jashtëm në vendet e Ballkanit

Bilanci i llogarive rrjedhëse (bilanci i pagesave), bilanci i buxhetit dhe borxhi i jashtëm vazhdojnë të jenë disa nga problemet e përbashkëta që kanë ekonomitë e Ballkanit.

rusya ticaret.jpg
dış ticaret
dış ticaret istatistikleri.jpg
iran-güney kore ticaret.jpg
almanya ekonomi ticaret.jpg

Agjenda Ballkanike – Inflacioni, Bilanci i Buxhetit dhe Borxhi i Jashtëm në vendet e Ballkanit

Edhe pse vendet e Ballkanit ndryshojnë nga njëra-tjetra në aspektin e nivelit të mirëqenies, ato tregojnë disa ngjashmëri në anën e pabarazive makroekonomike. Sidomos çështjet që kanë të bëjnë me bilancin e llogarive rrjedhëse (bilancin e pagesave), bilancin e buxhetit dhe borxhin e jashtëm renditen në mesin e problemeve të përbashkëta që kanë ekonomitë e Ballkanit.

Në gjysmën e parë të viteve 1990, të gjitha vendet e Ballkanit, me përjashtim të Greqisë, kaluan përvojën e hiperinflacionit. Kurse në periudhën 1999-2016, vlerat vjetore të inflacionit mesatar në dhjetë vendet e Ballkanit ishin gjithnjë numra njëshifrorë. Nga vendet e Ballkanit vetëm Greqia nuk e përjetoi problemin e hiperinflacionit dhe që nga fillimi i viteve 1990 ajo ka pasur norma më të moderuara inflacioni. Megjithatë, shifrat negative të inflacionit në Greqi gjatë periudhës 2013-2016 flasin për recesion në aktivitetin ekonomik dhe kërkesë në rënie për shkak të krizës.

 

Përkundër inflacionit, vendet e Ballkanit nuk kanë shpëtuar dot as nga problemi i deficiteve të tregtisë së jashtme, të cilat arrijnë deri në nivele problematike. Për shkak të deficitit në llogaritë rrjedhëse, në vitet e kaluara vendet e rajonit kanë përjetuar kriza të ndryshme të kursit të këmbimit valutor. Midis viteve 2009 dhe 2016, bilanci i llogarive rrjedhëse (bilanci i pagesave) në vendet e Ballkanit hyri në trendin e rënies graduale. Megjithatë, kjo rënie ndodh kryesisht për faktin se në Greqi veçanërisht kemi tkurrje të importit, për arsye kjo të rënies së kërkesës së brendshme si pasojë e krizës ekonomike.

Trendi i bilancit të pagesave (ose të llogarive rrjedhëse) në Greqi në periudhën 1998-2016 ishte i ngjashëm me mesataren e vendeve të tjera të Ballkanit. Ndërsa në aspektin e bilancit të buxhetit publik, duke filluar që nga viti 2004, Greqia filloi të jetë në një gjendje më të keqe se sa mesatarja e vendeve të tjera të Ballkanit. Në të vërtetë, kjo është edhe një nga arsyet kryesore të krizës ekonomike që u shfaq në këtë vend pas vitit 2008.

Sipas kritereve të Mastrihtit, të cilat janë përllogaritur duke marrë parasysh vendet e zhvilluara të BE-së, raporti i buxhetit publik ndaj PBB-së nuk duhet të kalojë -3%. Mes viteve 1997 dhe 2016, bilanci mesatar i buxhetit publik në nëntë vendet e Ballkanit përveç Greqisë ka qenë midis 0,5 dhe -4,1 për qind, gjë që nuk ka qenë një problem i përmasave serioze. Kurse në Greqi, midis viteve 1997 dhe 2002 bilanci publik ka qenë gjithnjë pozitiv. Më pas, deri në vitin 2007 ky bilanc u realizua në vlera negative jo-kritike, kurse midis viteve 2009 dhe 2011 në deficitin buxhetor të Greqisë ka pasur një rritje të madhe. Këto rritje të papritura në deficitin buxhetor të Greqisë mund të shpjegohen pjesërisht me efektet negative të krizës ekonomike globale. Megjithëkëtë duhet theksuar se në vitet e kaluara institucionet e BE-së e kanë kritikuar Greqinë për mos-dërgimin e të dhënave të sakta në lidhje me deficitin e madh që ka pasur në borxhin publik dhe borxhet e larta qeveritare, gjë kjo që pas vitit 2008 doli edhe hapur.

 

Gjatë periudhës 2011-2016 Greqia shënoi një përparim që vlen të lëvdohet në përmbushjen e objektivave financiare dhe përmirësimin e politikës fiskale. Sipas marrëveshjes së arritur me kreditorët ndërkombëtarë, në periudhën afatmesme Greqia do të duhet të synojë një bilanc pozitiv publik mesatarisht prej 3,5%.

Gjatë vlerësimit të deficitit buxhetor, është e rëndësishme të përcaktohet nëse ai është i qëndrueshëm apo jo. Sipas llogarive të bëra, për një bilanc të qëndrueshëm buxhetor prej -3% duhet që norma e inflacionit të jetë e prirur për të rënë nën 10%, ndërkohë që borxhi publik nuk duhet të tejkalojë 60% të PBB-së. Deri në vitin 2016, vendi i Ballkanit me raportin më të lartë të borxhit publik ndaj PBB-së ka qenë Greqia me 179%. Kjo shifër në Kroaci ishte 83,7%, në Serbi 74%, në Shqipëri 72,4% dhe në Mal të Zi 63,7%. Kurse në Kosovë, Bullgari, Rumani, Bosnjë-Hercegovinë dhe Maqedoni borxhet publike ishin në kufij relativisht më të shëndetshëm. Megjithatë, krahasuar me vitin 2009, duhet të theksohet se përveç Kosovës, problemi i deficitit buxhetor është përkeqësuar ndjeshëm në të gjitha vendet e Ballkanit.      

Një nga mënyrat që përdoret shpesh për të evituar deficitet buxhetore publike është huamarrja e jashtme. Deri në vitin 2016, totali i borxhit të jashtëm të vendeve të Ballkanit, duke lënë jashtë Greqinë, ishte rreth 243,7 miliardë dollarë. Kurse vetëm Greqia me një stok të borxhit të jashtëm prej 506,6 miliardë dollarësh ishte edhe vendi më debitor në Ballkan. Kurse Rumania ishte e dyta, me 101,4 miliardë dollarë stok të borxhit të jashtëm. Vendi me borxhin e jashtëm më të ulët në rajon në vitin 2016 ishte Kosova me 1,4 miliardë dollarë. Megjithatë, kur vlerësojmë borxhin e jashtëm të një vendi nuk mjafton të shohim vetëm stokun e borxhit të jashtëm. Banka Botërore ka zhvilluar disa raporte mbi qëndrueshmërinë e borxhit të jashtëm duke u bazuar në përvojën e fituar nga praktika. Një prej tyre është raporti i stokut të borxhit të jashtëm ndaj PBB-së. Sipas kësaj, që një vend ta ketë të qëndrueshëm borxhin e jashtëm duhet që raporti i stokut të borxhit të jashtëm ndaj PBB-së të mos e tejkalojë 80%. Në Greqi dhe Kroaci në vitin 2016 raporti i borxhit të jashtëm ndaj PBB-së e tejkaloi këtë nivel kritik. Kurse vendet e tjera të rajonit si: Serbia, Maqedonia, Shqipëria dhe Bullgaria iu afruan në masë të rëndësishme këtij kufiri të sipërm të përcaktuar nga Banka Botërore.

Meqenëse pritet që normat e rritjes për vendet e Ballkanit në vitet e ardhshme të jenë të moderuara, do të jetë e vështirë të kemi përmirësime thelbësore në problemet aktuale makroekonomike që ato kanë.

Autor: Dr. Erhan TÜRBEDAR

Shqipëroi: Serdar HÜSEYNİ



Lajme të ngjashme