Kukan: Shqipëria pritet të marrë rekomandimin për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit në BE

Shqipëria pritet të marrë rekomandimin për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit, ka pohuar për “Deutsche Welle”, anëtari i Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian, Eduard Kukan...

Kukan: Shqipëria pritet të marrë rekomandimin për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit në BE

Shqipëria pritet të marrë rekomandimin për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit, ka pohuar për “Deutsche Welle”, anëtari i Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian, Eduard Kukan.

Në prag të publikimit më 17 prill të raportit të përparimit për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, Brukseli bëri të ditur se mbështetja dhe fokusi i Brukselit për procesin e zgjerimit nuk do të ndikojë në asnjë formë vlerësimin për gjendjen e demokracisë, sundimin e ligjit, të të drejtave të njeriut, ekonomisë dhe përputhshmërinë me standardet e BE në secilin nga gjashtë shtetet partnere në rajon.

Sipas informacioneve që ka “DW” për raportin e këtij viti për paketën e zgjerimit, sundimi i ligjit, krimi i organizuar dhe korrupsioni, liria e shprehjes dhe konfliktet bilaterale janë vlerësuar sërish si “çështjet më të dhimbshme” për të gjithë rajonin.

Shqipëria ka bërë një reformë të thellë juridike, e gatshme për një hap të mëtejshëm drejt BE-së

Shqipëria dhe Maqedonia, sipas informacioneve të para nga raporti vjetor i Komisionit Evropian, do të marrin rekomandime për hapjen e negociatave të anëtarësimit me BE-në.

Eduard Kukan, anëtar i Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian dhe kryetar shumëvjeçar i Komitetit për Bashkëpunimin me Ballkanin Perëndimor, i tha radios “DW” se beson që të dyja vendet kanë bërë përparim të qenësishëm në rrugën drejt BE-së.

“Shqipëria ka bërë një reformë të thellë juridike, e cila, pasi të zbatohet, do të jetë reforma më e rëndësishme e zbatuar midis shteteve në procesin e zgjerimit dhe do të thosha edhe më serioze se në rastin e disa shteteve anëtare të BE-së”, shprehet Kukan për “Deutsche Welle”.

Duke folur për radion gjermane, Kukan është shprehur se “në vlerësimet e tij, Komisioni Evropian nënvizon se Shqipëria po ecën përpara në të pesë prioritetet kyçe që janë thelbësore për integrimin në BE – nga reforma e administratës publike, reforma juridike, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut”.

Në krye të këtij viti, presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, tha se nëse Shqipëria vazhdon në këtë mënyrë në rrugën e reformave, Komisioni do t’i japë një rekomandim për të nisur negociatat e anëtarësimit brenda gjashtë muajve të parë të 2018-s. Dhe kjo me sa duket do të ndodhë”, ka pohuar Kukan për “Deutsche Welle”. /ATSH



Lajme të ngjashme