Shqipëria dhe Kosova intensifikojnë bashkëpunimin në luftën kundër krimit

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, ka pritur të hënën homologun nga Shqipëria, Ardi Veliu, me të cilin diskutoi rreth bashkëpunimit të ngushtë në fushën e sigurisë, luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit...

Shqipëria dhe Kosova intensifikojnë bashkëpunimin në luftën kundër krimit

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, ka pritur të hënën në takim zyrtar drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shqipërisë, Ardi Veliu, me të cilin diskutoi rreth bashkëpunimit të ngushtë në fushën e sigurisë, luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit.

Në takimin e realizuar në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës, Maxhuni njoftoi të pranishmit mbi angazhimet, aktivitetet dhe objektivat e Policisë së Kosovës, si dhe përkushtimin e vazhdueshëm në përmbushjen e detyrave dhe obligimeve të saj ligjore në të mirë të sigurisë dhe rendit në Republikën e Kosovës.

“Policia e Kosovës ka kapacitete profesionale dhe është e përgatitur që të ofrojë siguri, të luftojë kundër krimit të organizuar, si dhe të bashkëpunojë ngushtë me organizatat policore me qëllim të avancimit të mëtejmë të bashkëpunimit të ndërsjellë në fushën e sigurisë dhe parandalimit të terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm”, deklaroi Maxhuni.

U veçua se Policia e Kosovës ka bashkëpunim të shkëlqyer me autoritet policore të Shqipërisë, bashkëpunim ky që ka treguar rezultate pozitive në fusha të ndryshme duke përfshirë edhe sukseset në patrullimet e përbashkëta policore.

Ndërsa drejtori i Policisë së Shqipërisë, Ardi Veliu, konfirmoi se do t'i kushtojë rëndësi vazhdimit të bashkëpunimit dhe përkrahjes në fusha të ndryshme me interes të përbashkët policor duke përfshirë edhe lehtësimin e kalimit kufitar.

Gjatë takimit, palët u zotuan për bashkëpunim të ndërsjellë edhe në të ardhmen duke përfshirë edhe shkëmbimin e përvojave policore përmes zyrtarëve policorë, trajnimeve në fusha të ndryshme me qëllim të avancimit të mëtejmë të dy policive, e që kanë synime të përbashkëta në parandalimin dhe luftimin e kriminalitetit duke përfshirë atë transkufitar. /ATSH



Lajme të ngjashme