Marrëdhëniet Turko-Shqiptare në Kohën e Ataturkut (Pjesa e 10-të)

Qëndresa shqiptare dhe kryengritja e vitit 1910.

Marrëdhëniet Turko-Shqiptare në Kohën e Ataturkut (Pjesa e 10-të)

Marrëdhëniet Turko-Shqiptare në Kohën e Ataturkut (Pjesa e 10-të)

Intelektualët shqiptarë, kur e panë se kërkesat që bënë me rrugë ligjore pas shpalljes së Monarkisë Kushtetuese mbetën pa përgjigje, duke filluar nga viti 1909 e mbrapa fillojnë e punojnë për ti realizuar këto kërkesa me kryengritje. 

Procesin që i çoi shqiptarët opozitarë, të cilët mbrojnë idenë e autonomisë duke iu kundërvënë qeverisjes qendrore (Unionistëve), deri në pikën e ngritjes krye, pra deri në vitin 1910 mund ta përmbledhim kështu[1]:

  • Pa kaluar shumë kohë nga shpallja e Kushtetutës, Unionistët bënë përpjekje për të penguar zgjedhjen e Ismail Qemal Bej Vlorës si deputet i parlamentit osman, 
  • Zhgënjimi i shqiptarëve me ligje si ato për grumbullimin e ushtarëve, taksave dhe armëve dhe dërgimi i burrave që merreshin ushtarë në vise të largëta si Erzurum dhe Jemen,
  • Mos-pranimi i një Shqipërie autonome nga ana e Unionistëve, 
  • Rëndimi i barrës fiskale,
  • Ushtrimi i presionit lidhur me arsimin dhe përdorimin e germave arabe pavarësisht kërkesës së shqiptarëve për Alfabetin Latin,
  • Animi i deputetëve opozitarë shqiptarë dhe në veçanti i Ismail Qemal Bej Vlorës ndaj politikës angleze, në një kohë që në politikën e jashtme Unionistët ndiqnin një politikë pro-gjermane,
  • Dërgimi në Selanik i batalionit shqiptar me detyrë në Gardën e Sarajit të Sulltanit dhe shpërndarja më vonë e këtij reparti, 
  • Emërimi dhe dërgimi i nëpunësve të paaftë në Shqipëri nga Unionistët,
  • Heqja e statusit të veçantë që aplikohej ndaj Shqipërisë,
  • Propaganda kundër Qeverisë Osmane që disa intelektualë shqiptarë (në veçanti Ismail Qemal Bej Vlora dhe Myfit Bej Libohova) bënë në Kryengritjen e 31 Marsit dhe dënimi i disa shqiptarëve të gjykuar si fajtorë në këtë ngjarje,
  • Shqetësimi që shkaktoi rrëzimi nga froni i Abdylhamitit II tek Isa Buletini, i cili ishte komandanti i Batalionit Shqiptar në saraj dhe tek disa rrethe që ishin të përkëdhelura me dashamirësitë e Abdylhamitit, 
  • Mbyllja e shoqatave dhe klubeve shqiptare pas Ngjarjes së 31 Marsit. 

Por ajo që shkaktoi më shumë reagime nga këto masa të Unionistëve ishte pa dyshim grumbullimi i armëve. Arma për shqiptarin është nderi, shpirti, çdo gjë, dhe dorëzimi i armës për atë është një sakrificë shumë e madhe. Përveç kësaj shqiptarët duke mos e parashikuar dot se çfarë do të ndodhë në të ardhmen ata mbeten të pavendosur në çështjen e dorëzimit të armëve[2]. Në vitin 1910, vit kur nga shqiptarët u mblodhën 450 mijë armë, komitët dhe çetat greke, serbe dhe bullgare e kthejnë përmbys Rumelinë. Sipas Ahmet Hamdiut shqiptarët mbeten pa mbrojtje përballë këtyre çetave[3].

Si shkaqe të kryengritjeve shqiptare mundohet të tregohen Ngjarja e 31 Marsit dhe rrëzimi i Abdylhamitit II. Vetëm se në shfaqjen e këtyre kryengritjeve lidhjet e jashtme luajnë një rol mbështetës. Në një raport dërguar Ministrit të Punëve të Jashtme të Anglisë në vitin 1909 thuhet se shqiptarët nuk i duan xhonturqit (Unionistët) dhe se ndërmjet shqiptarëve dhe grekëve ekziston një afri shumë e madhe[4]. Kur filloi kryengritja shqiptare Shteti Osman në çështjen shqiptare ishte i bllokuar në mesin e politikave të Italisë, Perandorisë Austro-Hungareze dhe Rusisë si dhe të politikave të vendeve Ballkanike. Kjo situatë sjell me vete edhe mbështetjen e jashtme ndaj kryengritjeve shqiptare[5].

Në maj të 1909-s pushteti i Komitetit Bashkim dhe Përparim (İttihat ve Terakki yönetimi) me qëllim për të parandaluar opozitarizmin që po zhvillohej kundër qeverisë dhe për të thyer rezistencën e fshatarëve që dilnin kundër regjistrimit të popullsisë dhe nuk donin të paguanin taksa detyrohet që të organizojë në Kosovë një operacion ushtarak nën drejtimin e Xhavit Pashës, komandanti i repartit të ushtrisë së vendosur në Mitrovicë. Deputetët shqiptarë kërkuan dërgimin në Kosovë të një ekipi hetimor me qëllim për të verifikuar e hetuar masat e ashpra që kishte zbatuar Xhavit Pasha gjatë operacionit të tij ushtarak. Qeveria nuk e pranon këtë kërkesë dhe këmbëngul në mendimin e saj se duhet vendosur rendi e qetësia[6].  

Në vjeshtën e vitit 1909 populli i zonës, në veçanti banorët e Pejës dhe Lumës dalin kundër rritjes së taksës “Ashar” nga 1/10 në 1/8. Në shtator të 1909-s Xhavit Pasha duke treguar si shkak prishjen e rregullit të hyrjes pa armë në pazarin e Prizrenit nga lumjanët hyri në zonën malore ku jetonin lumjanët, por këtu përballet me një rezistencë të madhe. Shqiptarët e Kosovës që u larguan nga radhët e ushtrisë së Xhavit Pashës strehohen në Dibër dhe pasi prishin rendin mblidhen në malet në brigjet jugore të Lumit Drin. Pas një farë kohe trazirat në Dibër përhapen edhe në zonën e Matit dhe rreth 1.000 shqiptarë të armatosur të grumbulluar në Ferizaj nisen drejt Prizrenit. Në vitin 1909 masat ushtarake të Qeverisë Osmane janë të pamjaftueshme për të siguruar rendin në Shqipërinë e Veriut[7] dhe ngjarjet vazhdojnë edhe në vitin 1910.

Në 2 mars të 1910-s Qeveria Osmane për shkak të krimeve që ishin kryer ndaj nëpunësve të shtetit në Pejë, Prishtinë dhe Vushtrri shpall gjendjen e jashtëzakonshme[8]. Në një zhvillim tjetër 800 kosovarë në mars të po këtij viti presin rrugën Prishtinë-Podujevë, si reagim kundër rritjes së tarifës së hyrjes (Oktruva) që merrej për mallrat që silleshin nga jashtë në qytete të ndryshme të Kosovës me qëllim tregtimi. Me ndërhyrjen e ushtrisë osmane[9] për një kohë të shkurtër kryengritja përhapet në Shqipërinë e Veriut[10].

Shevket Turgut Pasha emërohet komandanti i njësive ushtarake që gjendeshin në veri dhe lindje të Shqipërisë me qëllim për të shtypur kryengritjen në Shqipërinë e Veriut. Shevket Turgut Pasha fillon operacionin për të siguruar rendin në zonat e Ferizaj dhe Prizrenit, vetëm se Hasan Hyseni me Isa Boletinin kishin zënë Grykën e Caralevës, kurse Idris Seferi kishte zënë Grykën e Kaçanikut duke ndërprerë kështu lidhjen me Shkupin dhe Selanikun. Në 2 maj 1910 Ministri i Luftës, Mahmut Shefqet Pasha detyrohet ti shkojë në ndihmë me forca shtesë Shevket Turgut Pashës. Me ardhjen e forcave përforcuese kapërcehen Grykat e Kaçanikut dhe Caralevës dhe me masa të ashpra vendoset rendi në Prizren, Pejë dhe mbarë Kosovën. Pas Kosovës Shevket Turgut Pasha niset për në Shkodër, ku mbërrin në 26 korrik 1910, dhe shpall gjendjen e jashtëzakonshme. Në Shkodër krijohen gjykatat ushtarake dhe populli çarmatoset, duke përdorur edhe pak forcë, dhe pas marrjes ushtarë të burrave në moshën 18-26 vjeç Shevket Turgut Pasha në 22 gusht largohet nga Shkodra. Kur kaloi nga Mirdita Pashai çarmatosi edhe Dibrën dhe u drejtua nga jugu i Shqipërisë. Mbyllet shkolla shqipe në Elbasan dhe botimet në gjuhën shqipe që dilnin në Manastir, Elbasan dhe Korçë[11].

Kur situata në Shqipëri fillon e merr rëndësi, gazeta “Tanin” e shikon të nevojshme që në maj të vitit 1910 të dërgojë në zonë gazetarin e saj, Ahmet Sherif Bej, i cili në shkrimet e tij thotë se para shpalljes së Kushtetutës populli në Shqipërinë e Veriut ishte i mbrojtur nga Saraji (Porta e Lartë), por ishin të habitur nga serioziteti dhe vendosmëria që po shikonin në periudhën e Monarkisë Kushtetuese. Gazetari Ahmet Sherif vëzhgon se kur një shqiptar shkonte në zyrat e administratës shtetërore dhe kur dëgjonte që ti flisnin për ligj e procedurë, ai përgjigjej me kërcënime dhe fyerje. Në 3 qershor gazetari Ahmet Sherif kaloi në Gjakovë dhe i dërgon gazetës përkthimin e thirrjes për revolucion që i ishte dërguar zonës me vulën e Shoqërisë së Shqiptarëve me seli në Paris. Në këtë dokument thuhet se kur të ketë marrë fund pushteti absolut i Turqisë zemrat e shqiptarëve do të jenë te mbushura plot me siguri. Turqit mendojnë se vëllazëria e lirisë do të jetojë në mënyrë të barabartë me myslimanët dhe jo-myslimanët, vijon dokumenti ndërsa hedh pretendimin se Unionistët e kanë çuar Turqinë në një gjendje më të keqe se sa në të kaluarën[12].

Ahmet Sherif flet edhe për ‘duart e fshehta’ që organizonin ngjarjet në Shqipërinë e Veriut. Shkrimtari konstaton se këto duar të fshehta e nxisin popullin kundër qeverisë duke përhapur fjalë se do të merreshin taksa edhe nga mjekrat dhe pulat[13]. Ahmet Sherif Beu shkruan se populli në jetën e tij të përditshme karakterizohet nga thjeshtësia dhe mjaftohet me pak gjë dhe thekson se bashkimi, besimi në vetvete dhe nderi e krenaria janë ndër karakteristikat që duhen vlerësuar më shumë tek shqiptarët. 

Përpjekjet e Shevket Turgut Pashës nuk do të mjaftojnë për të siguruar rendin në Shqipërinë e Veriut. Fiset malësore katolike Hoti dhe Shala marrin vendim për të mos i dhënë taksa shtetit dhe për të mos i dorëzuar armët dhe bashkë me disa fise të tjera ngrenë krye dhe strehohen në Malin e Zi[14]. Me rritjen e trazirave Ministri i Luftës, në tetor të 1910-s Mahmut Shefqet Pasha niset vetë për të shtypur kryengritjen që kishte filluar në Shqipëri dhe rrugës merr me vete si shef shtabi Mustafa Qemalin (Ataturkun), i cili në atë kohë ishte Komandant i Regjimentit të 38-të të Këmbësorisë në Selanik[15]. Deri në Prizren dhe Pejë Mustafa Qemali operacionin e drejton bashkë me Mahmut Shefqet Pashën. Këtu Mustafa Qemali (Ataturku) gjen rastin ti tregojë Mahmut Shefqet Pashës situatën në Ballkan, mundësinë e luftës Ballkanike, që po afronte, si dhe pasojat e marrjes me politikë të ushtarakëve Unionistë (përkrahës të rrymës xhonturke Bashkim dhe Përparim)[16].

Kryengritja e vitit 1910 në Shqipërinë e Veriut realizohet si revoltë pa një lider dhe përkrahet nga myslimanët e jugut, shumica bektashi, dhe nga intelektualët shqiptarë ortodoksë. Vetëm se në këtë periudhë vihet re që paria dhe intelektualët e Shqipërisë së Mesdhe dhe të Jugut nuk i kanë humbur ende të gjitha shpresat për të arritur konsensusin me qeverinë e Bashkim dhe Përparim[17]. (vazhdon)

U përgatit nga: Dr. Halil Özcan (Pedagog i lëndës “Parimet e Ataturkut dhe Historia e Revolucionit Turk” në Universitetin “Baskent” në Ankara.)

U përshtat në shqip nga: Serdar Hüseyni.        

Burimet dhe literatura kryesore:

A.AFETİNAN, Atatürk Hakkında Hatıralar ve Belgeler, Yeni Baskıya Hazırlayan Arı İnan, Türkiye İş Bankası Yayınları, İstanbul, 2007, s.416.

Ahmet Şerif, Arnavutdluk’ta, Sûriye’de, Trablusgarb’de Tanin, C.II, Yayına Hazırlayan Mehmed Çetin Börekçi, Türk Tarih Kurumu Basımevi, Ankara, 1999.

 Ahmet Hamdi, Arnavutluk Hakkında, İstanbul, 1920.

Atatürk’ün Bütün Eserleri (1 Ekim 1920-31 Ocak 1921), Cilt:10, Kaynak Yayınları, İstanbul, 2003.BIYIKLIOĞLU, Tevfik, Trakya’da Milli Mücadele I.Cilt, Türk Tarik Kurumu Basımevi,

 


[1]Bilgin Çelik, İttihatçılar ve Arnavutlar: II.Meşrutiyet Döneminde Arnavut Ulusçuluğu ve Arnavutluk Sorunu, Büke Kitapları, İstanbul, 2004,f. 345-356.

[2]Ahmet Şerif, Arnavutdluk’ta, Sûriye’de, Trablusgarb’de Tanin, C.II, Yayına Hazırlayan Mehmed Çetin Börekçi, Türk Tarih Kurumu Basımevi, Ankara, 1999, f.24-25.

[3]Ahmet Hamdi, Arnavutluk Hakkında, İstanbul, 1920, f.17.

[4]Erol Ulubelen, İngiliz Gizli Belgelerinde Türkiye, Cumhuriyet Kitapları, İstanbul, 2005, f.82.

[5]Tarık Zafer Tunaya, Türkiye’de Siyasal Partiler C.I, İkinci Meşrutiyet Dönemi (1908-1918), Hürriyet Vakfı Yayınları, İstanbul,1984, f. 537.

[6] Banu İşlet Sönmez, II. Meşrutiyette Arnavut Muhalefeti, Yapı Kredi Yayınları, İstanbul, 2007, f.201-202.

[7]Sönmez, po aty, f. 175-176.

[8]Enver Ziya Karal, Osmanlı Tarihi IX. Cilt: İkinci Meşrutiyet ve Birinci Dünya Savaşı (1908-1918), Türk Tarih Kurumu Basımevi, Ankara, 1999, f. 246.

[9]Sönmez, po aty, f.177.

[10]Tevfik Bıyıklıoğlu, Trakya’da Milli Mücadele I.Cilt, Türk Tarik Kurumu Basımevi, Ankara, 1955, s.63.

[11]Sönmez, po aty, f.178.

[12]A.Şerif, po aty., f.5.

[13]A.Şerif, po aty, f.16-18.

[14]Sönmez, po aty, f.178.

[15]A.AFETİNAN, Atatürk Hakkında Hatıralar ve Belgeler, Yeni Baskıya Hazırlayan Arı İnan, Türkiye İş Bankası Yayınları, İstanbul, 2007, f.416.

[16]Ali Fuat Cebesoy, Sınıf Arkadaşım Atatürk I-II, Cumhuriyet Kitapları, İstanbul, 1997, f.208.

[17]Sönmez, po aty, f.180.



Lajme të ngjashme