BE-ja kërkon tërheqjen e iniciativës për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale të Kosovës

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë shprehu të premten shqetësimin në lidhje me iniciativën e deputetëve të Kuvendit të Kosovës për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale...

BE-ja kërkon tërheqjen e iniciativës për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale të Kosovës

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë shprehu të premten shqetësimin në lidhje me iniciativën e deputetëve të Kuvendit të Kosovës për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.

“Në vitin 2014, Kosova u angazhua me BE-në në themelimin e Dhomave të Specializuara. Ky ishte një hap i rëndësishëm për të demonstruar angazhimin e Kosovës për sundimin e ligjit. Si rezultat, BE mirëpriti krijimin e Dhomave të Specializuara nga Parlamenti i Kosovës në vitin 2015”, theksohet në njoftimin për shtyp të zyrës së BE-së.

Sipas zyrës së BE-së, çdo përpjekje për të shfuqizuar ose ndryshuar mandatin e Dhomave të Specializuara dëmton seriozisht një angazhim të tillë dhe do të rrezikonte punën e përbashkët të BE-së dhe Kosovës për sundimin e ligjit të bërë vitet e fundit.

“Kjo do të ndikonte negativisht në marrëdhëniet e Kosovës me BE-në. BE-ja, pra, kërkon që krijuesit e nismës së Parlamentit ta tërheqin atë. Ajo mirëpret deklaratat e fundit publike nga udhëheqësit politikë në mbështetje të respektimit të detyrimeve të Kosovës. BE përgëzon mediat dhe shoqërinë civile për ngritjen e zërit të tyre kundër kësaj iniciative të dëmshme”, nënvizohet në njoftim.

Përmes kësaj komunikate, Bashkimi Evropian shprehet se mbështet fuqishëm progresin e Kosovës në integrimin e saj evropian.

“Progresi i Kosovës drejt integrimit në BE, duke përfshirë përpjekjet e vërteta të Kosovës për të garantuar demokracinë, sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut dhe pajtimin sot më shumë se kurrë ka nevojë për mbështetje. Udhëheqësit e Kosovës duhet ta mbajnë Kosovën në mënyrë të vendosur në axhendën evropiane që rajoni i Ballkanit Perëndimor ndan, në përputhje me dëshirat dhe pritshmëritë e popullit të Kosovës”, përfundon njoftimi i zyrës së BE-së në Kosovë. /ATSH



Lajme të ngjashme