Thaçi: Treni i fundit për një paqe të qëndrueshme

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaci në një shkrim të botuar në të përditshmen gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” thotë se dialogu është treni i fundit për një paqe të qëndrueshme në rajon.

Thaçi: Treni i fundit për një paqe të qëndrueshme

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaci, ka shpërndare një link, ku i referohet një shkrimi të botuar në të përditshmen gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” dhe sugjeron që të interesuarit ta lexojnë.

Nëpërmjet një postimi në statusin e tij Facebook, Thaçi shprehet: “Këtu mund të lexoni një editorial timin, i botuar të enjten në të përditshmen gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” lidhur me dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. HTH”

Artikulli i plotë i Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi-Treni i fundit për një paqe të qëndrueshme

Kosova dhe Serbia janë duke dialoguar për më shumë se gjashtë vjet tani, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe me mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara, me synim të normalizimit të marrëdhënieve.

Derisa duhet të pranojmë se janë bërë hapa të mëdhenj në këtë drejtim, duke arritur kulmin me nënshkrimin e Marrëveshjes së Parë mbi Parimet e Normalizimit të Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në vitin 2013, megjithatë normalizimi i plotë i marrëdhënieve ende nuk është arritur.

Dy shtetet dhe popujt tanë aspirojnë që ta ndërtojnë një të ardhme më të mirë në të cilën janë tërësisht të integruar në familjen evropiane (e në rastin e Kosovës edhe në NATO) dhe në një të ardhme ku gëzojnë një standard dhe mirëqenie më të lartë sesa që kanë tani. Por, këto qëllime vështirë se mund të arrihen nëse vazhdohet me këtë gjendje që, në thelb, është një konflikt i ngrirë ndërmjet dy vendeve tona.

Deri më tani, Kosova dhe Serbia kanë pasur tri raunde të negociatave ndërkombëtare: në Rambuje në vitin 1999, në Vjenë në 2005-2007 dhe tani në Bruksel që nga viti 2011.

Unë kam qenë pjesë e të tri negociatave dhe jam krenar të them që Kosova gjithmonë është akorduar me marrëveshjet të cilat ishin të ndërmjetësuara nga komuniteti ndërkombëtar.

Serbia, në anën tjetër, nuk e pranon pavarësinë e Kosovës dhe vazhdon të investojë shumë resurse për të penguar përpjekjet tona për të forcuar subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.

Për shkak të këtij qëndrimi armiqësor, aspirata e Serbisë për anëtarësim në BE mbetet e pasigurt.

Prandaj, të dyja shtetet janë të bllokuara dhe e ardhmja e tyre euroatlantike varet nga aftësia e tyre për të arritur një marrëveshje përfundimtare historike për normalizimin e marrëdhënieve dhe për pajtim.

Dialogu në Bruksel është zvarritur. Marrëveshja e prillit 2013 ishte një triumf politik, por kanë kaluar katër vite qëkur e njëjta u arrit dhe zbatimi i disa pikave të marrëveshjes është duke ngecur ende. Përderisa natyra teknike ishte një parakusht për t’i filluar bisedimet, tani ka ardhur koha të përballemi me thelbin e problemit-çështjen që e bën të vështirë zbatimin madje edhe të marrëveshjeve më teknike: mungesa e pajtimit dhe njohjes së ndërsjellët.

Kredibiliteti i dialogut është vënë në dyshim, përkundër arritjeve në disa fusha, mu për shkak se është e qartë, për cilindo vëzhgues të këtyre bisedave, se antagonizmi ndërmjet shteteve është i gjallë sot po aq sa edhe në të kaluarën.

Për shembull, përderisa bisedimet në Bruksel kanë prodhuar një marrëveshje mbi pjesëmarrjen e Kosovës në organizata rajonale, Serbia vazhdon të bëjë fushatë të fuqishme kundër përpjekjeve të Kosovës për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, madje edhe kur nga këto anëtarësime do të përfitonte trashëgimia kulturore e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë (siç ishte përpjekja për anëtarësim në UNESCO), apo serbët e Kosovës.

Sukseset graduale, në pika të veçanta, kanë qenë të gjitha të rëndësishme, por me këtë shpejtësi, marrëdhëniet tona do të mund të normalizoheshin ndoshta pas 100 vjetëve. Është e qartë se ka ardhur koha për një vizion dhe për lidership më të gjerë e më të guximshëm që i adreson çështjet ndërmjet nesh një herë e përgjithmonë.

Çështja themelore është, natyrisht, se ne vazhdojmë ta shohim njëri-tjetrin si kundërshtar. T’i fshehim ndarjet tona të thella nën qilim, nuk është zgjidhje dhe nuk do të çojë në pajtim.

Nuk mund të pajtohemi rreth asaj se ku po shkojmë nëse kemi mosmarrëveshje bazike rreth asaj se prej nga vijmë. Kjo është arsyeja pse unë i kam dyfishuar përpjekjet e mia që të merrem me disa nga pyetjet më të vështira rreth së kaluarës sonë duke krijuar një Komision për të Vërtetën dhe Pajtim.

Përfundimisht, ne besojmë se rrugëdalja do të ishte nënshkrimi i një Marrëveshjeje mbi Normalizimin dhe Pajtimin ndërmjet dy shteteve tona.

Përmes saj, ne do të angazhoheshim që të zgjidhim të gjitha mosmarrëveshjet me mjete paqësore. Në fund, marrëveshja historike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të duhej të përfshijë njohjen e ndërsjellë si rrugë e vetme që t’u jepet fund të gjitha mosmarrëveshjeve njëherë e përgjithmonë.

Arritja e këtij qëllimi përfundimtar është jashtëzakonisht i vështirë për të dyja vendet dhe kërkon lidership të guximshëm dhe të mençur. Fuqimisht besoj që, si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi, lidershipi mbetet i përkushtuar ndaj asaj se çfarë pret populli ynë nga ne-që të arrijmë paqen ndërmjet nesh.

Që kjo të ndodhë, të gjithë duhet të jemi kreativë dhe të jemi të gatshëm që të bëjmë kompromise të mëtejshme. Duhet të jetë e qartë për të gjithë se ky është imperativ për hir të paqes së qëndrueshme në mes të popujve tanë dhe të gjeneratave që do të vijnë.

Ashtu siç do të duhej që zgjidhja përfundimtare e konfliktit tonë të njohë realitetet historike dhe realitetet aktuale, ajo gjithashtu duhet të adresojë kërkesat e së ardhmes.

E ardhmja e Kosovës dhe e Serbisë, sikurse ajo e pjesës tjetër të Ballkanit, është të jenë fqinjë miqësorë brenda Bashkimit Evropian. Jam i bindur se normalizimi dhe pajtimi është hapi i parë për të na çliruar nga pesha e së kaluarës dhe një hap që do të na shtyjë në një të ardhme më të ndritur.

Është e qartë se kur ne të veprojmë kështu, Bashkimi Evropian duhet të njohë përpjekjet tona dhe se përderisa e rrisim shpejtësinë ne në këtë cepin tonë të Evropës, shpejtësinë duhet ta rrisë edhe treni i anëtarësimit në BE, si në Bruksel, ashtu edhe në kryeqytetet evropiane.

Duhet të sigurohemi që të mos humbasim trenin e fundit për një paqe të qëndrueshme.



Lajme të ngjashme