Qeveria e Kosovës ndan qindra mijëra euro për Aeroportin e Gjakovës

Aeroporti i Gjakovës edhe pse jofunksional, është duke përfituar nga buxheti i Republikës së Kosovës qindra-mijëra euro që shkojnë kryesisht për mirëmbajtje.

Edita Tahiri_Berlin.jpg
Kosova_savaş tecavüz mağdurları.png
Avdullah Hoti.jpeg
Kosova_tavukçuluk_şikayet.jpg
Kosova Hükümeti_genel logo.jpg

PODCAST - Qeveria e Kosovës ndan qindra mijëra euro për Aeroportin e Gjakovës

Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, ka zhvilluar mbledhjen e rregullt, të 147-të me radhë, në të cilën ka miratuar vendime nga fusha e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore. 
Pika e parë që mori miratimin e kabinetit qeveritar ishte vendimi për ndarjen e mjeteve financiare në vlerë prej 200 mijë euro për mbulimin e shpenzimeve të sigurisë, për mirëmbajtje, riparim, administratë dhe personel si dhe nevojave tjera emergjente të Ndërmarrjes Publike “Aeroporti i Gjakovës”. 
Qeveria e Kosovës në mbledhje miratoi edhe vendimin për ri alokimin e mjeteve në buxhetin e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal nga projekti “Bashkëfinancim me IPA për Zhvillim Regjional”,  në përputhje me katër marrëveshjet e mirëkuptimit të nënshkruara nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe kryetarët e komunave për projekte kapitale. 
Kabineti qeveritar miratoi edhe vendimin përfundimtar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit të cilat preken nga ndërtimi i ndërtesave të përhershme të menaxhimit të integruar të kufirit IBM, Pika Kufitare, Bërnjak, Merdar dhe Mutivodë, si dhe vendimin preliminar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të cilat preken nga ndërtimi i Autostradës R6 Prishtinë-Han i Elezit, Sektori C3. 
Edhe kërkesa e Këshillit Prokurorial të Kosovës, përkatësisht Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për kompensimin e shtesave dhe stimulim financiar për vitin 2017, mori mbështetjen e kabinetit qeveritar. Këshilli Prokurorial i Kosovës ka bërë kërkesë për kompensimin e shtesave dhe stimulim financiar për Kryeprokuror, Prokuror të Departamentit të Krimeve të Rënda dhe të Mitur. Kërkesa e paraqitur arsyetohet me faktin se prokurorët e krimeve të rënda dhe ata për të mitur trajtojnë raste të krimeve specifike dhe të ndjeshme.

***

Ministrja Edita Tahiri në Berlin për 25 vjetorin e “Programit për tolerancë”

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka qëndruar në Berlin ku mori pjesë në shënimin e njëzetë e pesë vjetorit të “Programit për tolerancë” të themeluar nga Fondacioni gjerman Friedrich Neuman dhe organizata amerikano-hebreje American Jeëish Committee. Udhëheqësit e këtij programi Rainer Adam dhe Rabin Andrew Baker në fjalën e tyre vlerësuan punën e devotshme të këtij programi ndërsa theksuan se promovimi i tolerancës është një proces i domosdoshëm në kohën kur intoleranca dhe dukuria e fanatizmave është në rritje anë e mbanë botës. 
Në Seminarin që iu kushtua këtij përvjetori, me temën "Përballja me fanatizmin dhe intolerancën përballë populizmit në rritje", ministrja Edita Tahiri mbajti një fjalim. 
Ajo theksoi se promovimi i tolerancës është një nga misionet më të rëndësishme në kohën kur vlerat e demokracisë liberale janë duke u sfiduar seriozisht madje edhe vet rendi liberal demokratik në botë është në rrezik.

“Ne vendet që dolëm nga sistemi komunistë jemi dëshmitar të formave më të vrazhda të shtypjes dhe jotolerancës deri në mohim të mendimit politik, prandaj ne mundemi dhe duhet të jemi promotorë të fuqishëm të tolerancës mbi parimet e demokracisë dhe sundimit të ligjit si një gurthemel i demokracisë”, tha ajo. 
Ministrja Tahiri po ashtu foli për përvojat e saj nga Programi për Tolerancë pjesë e të cilit ishte në vitin 2003, e propozuar nga Zyra e Fondacionit Frierdich Neuman në Kosovë. Ajo theksoi se ka qenë e privilegjuar të marrë pjesë në këtë program, ndërsa ka përfituar shumë nga ai në një kohë kur ajo vet po kalonte nëpër një periudhë tranzicioni nga një luftëtare e lirisë në një paqëkrijuese.

“Programi për tolerancë më erdhi në një kohë shumë të veçantë për mua. Ishte viti 2003, vetëm pak vite që kur kishte përfunduar lufta në Kosovë. Në atë kohë kur ne po kalonim dhembjet e thella të luftës dhe gjenocidit serb në Kosovë, një program i tillë më dha mundësitë të njihem dhe reflektoj me përvojat e të tjerëve në takimet që i realizuam gjatë atij viti në rajon dhe në SHBA. Mund t'ju them se ky program më dha një forcë shtesë në përpjekjet e mia për proceset e shtetndërtimit dhe paqëndërtimit  në shtetin tonë të ri Kosovën por edhe në mbarë rajonin” tha ajo.  

***

INTERPOL-i në shtator vendos për pranimin e Kosovës në radhët e saj

Pas një pune intensive dhe shumë mujore të Qeverisë së Kosovës, e në veçanti Ministrisë së Punëve të Brendshme, Republika e Kosovës është afër pranimit në INTERPOL. 
Përmes një letre dërguar ministrit të Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, Sekretari i Përgjithshëm i INTERPOL-it, Jurgen Stock, e ka informuar se Komiteti Ekzekutiv i INTERPOL-it, ka vendosur që aplikimin e Republikës së Kosovës për anëtarësim në INTERPOL, ta vënë në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme që do të zhvillohet në Pekin të Kinës, nga data 26 deri më 29 shtator 2017. 
Anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL do të avanconte shumë kapacitetet e Kosovës në luftë kundër të gjitha krimeve, si dhe do të fuqizonte shtetësinë dhe subjektivitetin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës. 
Ministria e Punëve të Brendshme, gjatë dy vjet e gjysmë të mandatit të saj, me përkrahjen substanciale të Kryeministrit Isa Mustafa, ka punuar me përkushtim të madh në avancimin e kapaciteteve të saj si dhe në bashkëpunim me dikasteret e tjera qeveritare kanë lobuar fuqishëm për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, punë e cila pritet të rezultojë me pranimin e Kosovës gjatë muajit shtator.

***

Qeveria e Kosovës ka mbajtur Ankandin e Obligacioneve të Thesarit

Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur Ankandin e radhës të Letrave me Vlerë, ku u ofertuan Bono Thesari 12 mujore në vlerë nominale 30 milionë euro. Fondet e huazuara përmes këtij ankandi do të përdoren për ri-financimin e Bonove 12 mujore të emetuara më parë.

Në këtë ankand, tregu shfaqi kërkesë për blerje në vlerë 43 milionë euro, kurse u pranua vetëm shuma e shpallur e që ishte 30 milionë euro. Norma e interesit për këtë ankand ishte 0.27% vjetore.

***

Ministri Hoti merr pjesë në Samitin e Ministrave të Financave të rajonit

Ministri i Financave Avdullah Hoti i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij ka qëndruar në vizitë zyrtare në Mal të Zi, ku ka marre pjesë në Samitin e Ministrave të Financave, Guvernatorëve të Bankave Qendrore, si dhe Drejtorëve të Administratave Tatimore të Rajonit, me temën “Stabiliteti financiar rajonal në mjedisin global“, që u mbajt në Beçiq të Malit të Zi.

Në panelin e Ministrave të Financave të rajonit, me temën: Prioritetet e reja - Rritja më e shpejtë ekonomike me financa të shëndetshme publike dhe borxh më të ulët publik, ministri Avdullah Hoti theksoi se për Kosovën dhe Malin e Zi, si dy vendet e vetme të rajonit që kanë zgjedhur Euron si valutë të tyre, tema e këtij paneli është edhe më e rëndësishme për shkak të fushëveprimit të kufizuar për të korrigjuar gabimet në menaxhimin e financave publike nëpërmjet masave monetare. 

Ministri Hoti theksoj se financat publike të shëndetshme dhe niveli i ulët i borxhit publik kanë efekt të menjëhershëm në pasigurinë ekonomike dhe rrjedhimisht në rritjen ekonomike. Ai po ashtu theksoj nevojën për implementimin e reformave që e bëjnë të lehtë përmbushjen e obligimeve tatimore,  si dhe adoptimin e politikave fiskale që ofrojnë stimuj për investime brenda sektorit privat.

Gjatë fjalimit të tij, Ministri i Financave Avdullah Hoti tha se Kosova është shembull konkret se si reformat në financat publike kanë pasur ndikim të menjëhershëm në rritjen ekonomike, duke rezultuar me një përshpejtim të normës së rritjes nga 1.2% më 2014 në një mesatare prej 4% përgjatë 2015 dhe 2016. Në këtë drejtim, ai bëri të ditur se përmirësimet kryesore në arkën e shtetit kanë rezultuar nga rënia e deficitit buxhetor dhe ngritja e të hyrave tatimore nga 21% në 24% të prodhimit të brendshëm bruto.

Sipas Ministrit Hoti, ndikimi i përmirësimit të financave publike në rritjen ekonomike ka qenë i përcjellë vazhdimisht me reforma për përmirësimin e ambientit biznesor, reflektuar edhe me ngritjen e rangimit të Kosovës në raportet e Bankës Botërore.

***

Mbahet Forumi për Investime dhe Tregti Zvicër – Kosovë

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), në bashkëpunim me Ambasadën e Kosovës në Zvicër dhe Odën Ekonomike të Zvicrës për Evropën Qendrore organizuan në Cyrih të Zvicrës, Forumin për Investime dhe Tregti Zvicër - Kosovë.

Hapja e Forumit u bë nga Ambasadorja e Kosovës në Zvicër, Nazane Breca, ndërsa  Drejtori i përgjithshëm i KIESA-s, Besian Mustafa, ka prezantuar para pjesëmarrësve dhe bizneseve zvicerane mundësitë për investime dhe ambientin e të bërit biznes në Kosovë.

Ndërkohë edhe përfaqësues nga Dogana, Administrata Tatimore,  Oda Ekonomike e Kosovës dhe Agjencia e Privatizimit të Kosovës informuan të pranishmit lidhur me shërbimet që këto institucione ofrojnë në mbështetje të investimeve dhe të tregtisë.

Kompanitë zvicerane gjithashtu patën mundësinë që të dëgjojnë storie të suksesit nga vet bizneset të cilat tashmë janë duke vepruar në Kosovë e që ishin pjesë e këtij forumi.

Në forum morën pjesë 10 kompani nga Kosova si dhe rreth 30 kompani zvicerane në mesin e tyre edhe kompani nga diaspora të sektorëve të ndryshëm.

Gjatë forumit u zhvilluan takime B2B në mes bizneseve nga Zvicra dhe përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës.

Në këtë forum, KIESA dhe Oda Ekonomike e Zvicrës për Evropën Qendrore nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi.

***

Shoqata e Shpendarive ankohet tek ministrja e Tregtisë dhe Industrisë

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, priti në takim përfaqësuesit e Shoqatës së Shpendarive të Kosovës

Përfaqësuesit e Shoqatës së Shpendarive të Kosovës e njoftuan ministren Bajrami për shqetësimet që ata i kanë sa i përket importit të vezëve nga vendet e rajonit, me theks të veçantë nga Shqipëria.

Përfaqësuesit e Shoqatës thanë se vezët e importuara nga Shqipëria janë të dampuara dhe njëherit janë të kualiteti të ulët dhe si të tilla po e dëmtojnë shumë prodhimin vendor dhe shëndetin publik. Përfaqësuesit e Shoqatës kërkuan nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë që të shqyrtoi urgjent shqetësimet e ngritura në takim.

Ministrja Bajrami shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të mëtutjeshëm në mes të MTI-së dhe Shoqatës së Shpendarive të Kosovës si dhe u zotua që Departamenti i Tregtisë në kuadër të MTI-së menjëherë do të shohë mundësinë e zbatimit të Ligjit për masa mbrojtëse dhe Ligjit për masa antidamping në mënyre që të mbrohen prodhuesit e vendit. Në të njëjtën kohë ministrja u zotua që to të kontaktoj menjëherë me AVU-in në mënyre që të merren masa të shpejta edhe për mbrojtjen e shëndetit publik.

***

Kërkohet Fond Pensional për të mbijetuarat e dhunës seksuale

Ambasadori britanik në Kosovë, Ruari O’Konell, vlerësoi se qeveria e ardhshme duhet të formojë fondin për pensione për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës. Në një tryezë që adresoi çështjen e drejtësisë së vonuar për këtë kategori, ai tha se ndaj tyre duhet të rritet niveli i llogaridhënies.

Në këtë tryezë u bë thirrje që tema për njohjen e statusit të viktimave të dhunës të mos mbetet vetëm temë e fushatës elektorale. Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruari O’Connell, tha se qeveria e vendit duhet të caktojë shumë pensioni dinjitozë për këto viktima. Ai tha se Qeveria britanike është e përkushtuar të punojë në këtë drejtim dhe të ndihmojë që viktimat dhe fëmijët e tyre mos të mos fajësohen për atë që atyre u ka ndodhur.

“Është koha që të mbijetuarve t’u ofrohet drejtësi. Të mbijetuarit kanë nevojë që t’u njihet statusi dhe t’u ofrohet ndihma konkrete që e meritojnë. Është e vërtetë që shumë hapa janë marrë nga qeveria dhe shoqëria civile. Fatkeqësisht kanë mbetur edhe hapa të pazbatuar. Qeveria e ardhshme duhet të caktojë shumën e pensioneve. Ky pension duhet të jetë dinjitoz”, ka thënë ai.

Ish-presidentja Atifete Jahjaga tha se ka pasur vonesa për njohjen e statusit  për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës.

Ndërkaq, Feride Rushiti, drejtoreshë e QKRMT-së, tha se shënimi i Ditës Ndërkombëtare për të mbijetuarit e torturës  bëhet për të rritur ndërgjegjësimin për këto viktima. Ajo përmendi edhe disa rekomandime të sekretarit të Kombeve të Bashkuara, siç është rishikimi i kornizës ligjore për të siguruar që të dhunuarit e dhunës seksuale të njihen si viktima të dhunës, t’u ofrohen masa shëndetësore dhe arsimore dhe të flitet për përkrahjen që e meritojnë.

- Përgatiti për TRT Shqip, Muharrem SARAGJOLLI -



Lajme të ngjashme