Koalicioni i udhëhequr nga PDK fiton zgjedhjet në Kosovë

Koalicioni i udhëhequr nga PDK ka dalë i pari në zgjedhjet e pakohshme parlamentare të dielën, por do të duhet të gjejë sërish një partner koalicioni për të formuar qeverinë.

Kosova erken seçim_genel.jpg
Kosova erken seçim_kadri veseli.jpg
Kosova erken seçim_Albin Kurti.jpg
Kosova erken seçim_ramush haradinaj2.jpg
Kosova erken seçim_ramush haradinaj.jpg
Kosova erken seçim_kendin karar al hareketinin destekçileri kutlama yaptı.jpg

PODCAST - Koalicioni i udhëhequr nga PDK fiton zgjedhjet në Kosovë

Fitues i zgjedhjeve parlamentare në Kosovë duket të jetë koalicioni Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) si dhe Nisma, pasi që nga 91 për qind e votave të numëruara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), koalicioni në fjalë ka fituar afro 35 për qind të votave.

E dyta pozicionohet për herë të parë Lëvizja Vetëvendosje me 27 për qind, duke e kaluar kështu Lidhjen Demokratike të Kosovës e cila ishte në koalicion me Aleancën Kosova e Re si dhe Alternativën me 26 për qind të votave.

Kurse Lista Serbe ka fituar mbi 5 për qind.

***

KQZ i vlerëson lartë zgjedhjet

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, pas përfundimit të procesit zgjedhor ka deklaruar se Kosova ka kaluar një nga proceset më të mira zgjedhore.

“Kanë votuar 750 mijë votues apo 42,08% të votuesve. Procesi zgjedhor ka shkuar pa ndonjë parregullsi që do të cenonte integritetin e zgjedhjeve”, ka deklaruar Daka.

Gjatë procesit të numërimit 48 620 fletëvotime kanë rezultuar të pavlefshme.

Për shkak të këtij numri të fletëvotimeve të pavlefshme ka reaguar kryetari i Partisë Fjala Gëzim Kelmendi. Ai ka shprehur dyshime se shumica e fletëvotimeve të pavlefshme i takojnë partisë së tij.

“Na mohuat padrejtësisht të kemi komisionar për ruajtjen e votës tonë. 50 mijë fletëvotime të pavlefshme. Kjo tregon qartë qëllimin e juaj. Në vitin 2014 fitova i vetëm mbi 10 mijë vota. Tash së bashku me 109 kandidat të tjerë na "dolën" rreth 6 mijë vota”, është shprehur në Facebook Kelmendi.

***

Lëvizja VV me rritje më të lartë 

Krahasuar me zgjedhjet e fundit parlamentare dy partitë më të mëdha kanë shënuar rënie në këto zgjedhje, ndërsa rritjen më të madhe e ka lëvizja Vetëvendosje.

Në vitin 2014 Partia Demokratike së bashku me partitë e koalicionit ka marrë 222 181 vota apo 31,38 %, Lidhja Demokratike, 184 596 vota, apo 25,24 %, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje 99 397 vota apo 13,59%.

Në këto zgjedhje të mbajtura të dielën, dalja e votuesve sipas të dhënave zyrtare të KQZ-së ka qenë mbi 750 mijë apo rreth 42 për qind e votuesve të regjistruar, përderisa të drejtë vote kanë pasur mbi 1 milion e 872 mijë.

Procesi zgjedhor nga KQZ dhe nga koalicioni i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim, është vlerësuar i rregullt, pa ndonjë parregullsi të theksuar.

Zgjedhjet në Kosovë janë vëzhguar nga më shumë se 29 mijë vëzhgues nga partitë politike, organizatat joqeveritare, nga Bashkimi Evropian (BE) si dhe ambasadat e akredituara në Prishtinë.

***

Feston koalicioni fitues

Pas publikimit të rezultateve të para, koalicioni Partia Demokratike e Kosovës, AAK dhe Nisma kanë mbajtur tubimin e parë kremtues me simpatizantët e tyre në Prishtinë. Simpatizantët ishin mbledhur në Sheshin “Skënderbeu” në qendër të Prishtinës ku është kumtuar fitorja e koalicionit. Kreu i PDK-së, Kadri Veseli ia ka dhënë fjalën Ramush Haradinajt duke e quajtur "Kryeministër". 

“I pari të flasë kryeministri”, u ka thënë Veseli simpatizantëve të mbledhur në shesh, në mesnatë. 

Ndërsa, Ramush Haradinaj, në adresimin e tij të fitores, ka vlerësuar se zgjedhjet kanë qenë më të mirat që janë mbajtur në Kosovës.

“Sot Kosova ka fituar. Janë zgjedhjet më të mira që kemi mbajtur. Kosova sot ia ka dhanë fitoren tonë koalicionit tonë PDK-AAK-NISMA”. E di që na presin shumë punë”, ka deklaruar i mandatari për kryeministër i koalicionit PDK-AAK-NISMA

*** 

Feston edhe VV

Në qendër të Prishtinës, në sheshin “Zahir Pajaziti”, ka festuar edhe Lëvizja Vetëvendosje. Edhe aty, është thënë se Kosova do ta ketë kryeministrin e ri, dhe ai, sipas Vetëvendosjes do të jetë Albin Kurti.

“Ka fituar guximi mbi frikën, ka fituar shpresa mbi dëshpërimin, e ka fituar dashuria mbi indiferencën. Edhe guximi, edhe shpresa, edhe dashuria kanë fituar me zemër. Me zemër na presin edhe shumë fitore të reja e të tjera në të ardhshmen. Njëri koalicion me 16 parti, e koalicioni tjetër me 6-7 parti janë tkurrur shumë krahasuar me zgjedhjet e vitit 2014-të. LVV tash është partia e parë, tash është partia më e madhe në Kosovë.....U vërtetua se qytetarët i dhanë të drejtë orientimit për shtet të së drejtës, për shtet zhvillimor, për shtet social dhe po ashtu i dhanë përkrahje idesë për thellim e zgjerim të partneritetit tonë para së gjithash me SHBA, Gjermanin, vendet të tjera të BE-së dhe me NATO-n. Nga këtu unë ua bëjë me dije të gjithë qytetarëve se e kemi marrë mesazhin e tyre dhe i sigurojmë se do t’i mbajmë premtimet tona që dolën nga 40 prioritete e Republikës“, tha Kurti.

Ndërsa, kryetari i Prishtinë dhe nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpend Ahmeti, tha se qytetarët votuan me mendje të pastër dhe me zemër.

“Sot jemi subjekti më i madh politik në Republikën e Kosovës. Kohë të mira po vijnë për krejt qytetarët e Republikës së Kosovës. Faleminderit Prishtinë, e nxorët Vetëvendosjen me mbi 45 për qind”, tha Ahmeti. Ai potencoi se prej 100 mijë vota të cilat i kishin në vitin 2014, kanë tejkaluar mbi 220 mijë vota. Ky numër sipas tij ia kalon secilës parti individualisht se sa i kanë marrë në këto zgjedhje.

Ndërsa kryetari i VV-së Visar Ymeri, masës iu drejtua me këto fjalë:

“...Sot u dëshmua që qytetarët e Republikës së Kosovës, e duan një Kosovë plotësisht ndryshe. Këtë përkrahje që na dhatë gjatë tërë kësaj fushate, gjatë tërë këtyre viteve tona nëpër protesta, në aksione politike dhe sot në ditën e zgjedhjeve. Me këtë përkrahje e dëshmuat që populli i Kosovës nuk i duron këto koalicione, e nuk e duron krimin e korrupsionin. Shtetin do ta bëjmë pa hajna. VV është subjekti më i madh politik në Republikën e Kosovës, dhe  është i vetmi subjekt që po rritet. Në këto zgjedhje sot,  Lëvizja VV fitoi kundër koalicioneve që janë bërë bashkë, Lëvizja VV fitoi kundër pareve që ata i kishin vjedhur, e i shfrytëzonin për fushatë. VV fitoi kundër kapjes së shtetit që e keqpërdorën në këtë fushatë. VV fitoi kundër krimit të nëntokës, që u vesh me petkun e mbi tokës. VV fitoi vetëm për një arsye sepse me VV është populli i Kosovës”, tha ai.

***

Presidenti Thaçi pret qeveri pro-evropiane 

Ndërkohë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi pas përfundimit të procesit zgjedhor, ka deklaruar se pret që fituesi i zgjedhjeve të hershme parlamentare, të formojë një Qeveri pro-evropiane.

Nga votimet e këtyre zgjedhjeve do të përcaktohet përbërja e ardhshme e Kuvendit të Kosovës, i cili ka 120 ulëse.

Në garë për të siguruar vende në Kuvend kanë qenë 5 koalicione, 19 parti politike dhe 2 iniciativa qytetare.

Për formimin e Qeverisë së Kosovës, janë të domosdoshme të paktën 61 vota në Kuvend. Koalicioni apo partia fituese, duhet të llogaritë në koalicione pas-zgjedhore edhe në pakicat, si kategori kushtetuese e domosdoshme për përfshirje në Qeveri.

***

18 vite të përfundimit të sulmeve të NATO-s në Kosovë

Kosova shënon sot 18 vjetorin e përfundimit të sulmeve të NATO-s kundër caqeve policore e ushtarake të Serbisë. Më 12 qershor të vitit 1999 pas 78 ditë bombardimesh në Kosovë zbarkuan trupat paqeruajtëse të NATO-s duke i dhënë fund sundimit të Serbisë në Kosovë.

Hyrjes së trupave të NATO-s i ka paraprirë Marrëveshja e Kumanovës, e nënshkruar më 9 qershor të viti 1999 si dhe rezoluta e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën, e cila në fakt i hapi rrugën marshimit të rreth 50 000 trupave ndërkombëtare nga 36 shtete në kuadër të Misionit paqeruajtës, me emrin KFOR.

Trupat e KFOR-it në Kosovë kanë hyrë nga drejtimi i Maqedonisë dhe Shqipërisë, kurse të parat që kanë zbarkuar kanë qenë njësitet britanike.

Misioni ishte i ndarë në pesë zona të përgjegjësisë, që i përkisnin KFOR-it amerikan, anglez, francez, gjerman dhe italian.

Në kuadër të këtij misioni në Kosovë për një kohë kanë qëndruar edhe trupat ruse të cilat më vonë u larguan përfundimisht nga Kosova.

Me hyrjen e NATO-s, në Kosovë ka nisur edhe vendosja e misionit të përkohshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNMIK), i cili do të administronte vendin për një periudhë të caktuar kohore. 

Si pasojë e luftës në Kosovë, deri në ndërhyrjen e NATO-s, ushtria dhe policia serbe kishin kryer krime të tmerrshme në Kosovë, ndërsa organizatat ndërkombëtare dhe ato për të drejtat e njeriut kishin regjistruar mbi 10 mijë shqiptarë të vrarë dhe rreth 5 mijë të zhdukur, për fatin e të cilëve nuk dihej asgjë.

12 qershori i vitit 1999 bashkë me 17 shkurtin e vitit 2008, në Kosovë konsiderohen si ngjarje që kanë shënuar kthesë në histori e re të popullit të Kosovës.

Më 12 qershor bota demokratike u rreshtua me Kosovën dhe nga ajo ditë 12 qershori kujtohet si Dita e Lirisë së Kosovës nga agresioni serb.

- Përgatiti për TRT Shqip, Muharrem SARAGJOLLI -



Lajme të ngjashme